Tiranë, 2 Maj 2025 – Në prag të Zgjedhjeve Parlamentare 2025, CRCA/ECPAT Shqipëri organizoi forumin e parë dhe të vetëm publik të dedikuar plotësisht politikave për fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri. Kandidatët për deputetë nga partitë kryesore politike prezantuan vizionet dhe prioritetet e tyre, duke krijuar një hapësirë gjithëpërfshirëse dialogu ndërmjet shoqërisë civile dhe forcave politike të vendit.

Në një moment kyç për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, kur vendi ka hapur zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian, ky forum shënoi një hap konkret drejt transparencës, dialogut dhe përfshirjes së brezit të ri në proceset vendimmarrëse.

Në takim morën pjesë përfaqësues të partive kryesore që garojnë në zgjedhje, të cilët ndanë angazhimet dhe politikat e tyre për përmirësimin e jetës së fëmijëve dhe të rinjve. Kandidatët u fokusuan në çështje kyçe si arsimi, shëndetësia, mbrojtja sociale, siguria dixhitale, punësimi i të rinjve dhe pjesëmarrja e tyre në vendimmarrje.

Në diskutime u theksuan disa prioritete të përbashkëta, përfshirë forcimin e shtetit social, përmirësimin e shërbimeve publike, arsimin falas e cilësor, politikat për strehimin e të rinjve, mbështetjen për zonat rurale dhe familjet në nevojë, si dhe promovimin e barazisë gjinore. U paraqitën gjithashtu masa konkrete si: shkolla me orar të zgjatur, ushqim dhe transport falas për nxënësit, mbështetje për fëmijët me aftësi ndryshe, krijimi i qendrave rinore dhe programeve për sipërmarrjen e të rinjve.

Ky forum përbën një moment të rëndësishëm për vendosjen e çështjeve të fëmijëve dhe të rinjve në qendër të debatit publik dhe politik. Ai rikujton se zhvillimi i qëndrueshëm i vendit nuk mund të arrihet pa politika të qarta, të matshme dhe me ndikim real në jetën e brezave të rinj. Reflektimi mbi forume të tilla thekson nevojën për ndërtimin e një kulture politike më gjithëpërfshirëse, më transparente dhe më të ndjeshme ndaj sfidave që përballen fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri.


Detajet e Lajmit
May 2, 2025
24
Kategoria