
Korçë, 20 Nëntor 2024 – Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, CRCA/ECPAT Shqipëri, në bashkëpunim me gjimnazet e qytetit të Korçës, zhvilloi një aktivitet ku të rinjtë diskutuan mbi gjendjen e të drejtave të fëmijëve dhe adoleshentëve në Shqipëri. Pjesëmarrës ishin nxënës nga gjimnazet “Raqi Qirinxhi”, “Themistokli Germenji”, “Ymer Dishnica”, “Tefta Tashko Koço” dhe “Faik Konica”. Aktiviteti kishte si qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në shoqëri.
Të rinjtë adresuan disa nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen çdo ditë, si bullizmi, diskriminimi, dhe pasojat e këtyre fenomeneve në jetën e tyre. Ata gjithashtu u fokusuan në evidentimin e zgjidhjeve për këto probleme, për të krijuar një mjedis sa më të sigurt dhe mbështetës.
Në pjesën e parë të aktivitetit, të rinjtë analizuan rolin e institucioneve që janë përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe adoleshentëve, duke përfshirë familjen, shkollën, pushtetin lokal dhe qendror, si dhe organizatat ndërkombëtare që punojnë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Pjesa e dytë e aktivitetit u fokusua në punën në grupe, ku nën udhëheqjen e një eksperti të CRCA Shqipëri, ata përdorën metodologjinë e “Pemës së Problemeve” për të krijuar një Manifest të të Drejtave të Fëmijëve dhe të Rinjve, në shkollat e mesme të Korçës. Ata diskutuan dhe ofruan propozime për zgjidhjen e problemeve si bullizmi online, dhuna, stresi dhe mungesa e mbështetjes për aktivitete kulturore dhe artistike.
Gjithashtu të rinjtë përgjatë aktivitetit u njohën me platformën ISIGURT.al dhe Linjën Kombëtare të Telefonit për Fëmijë – ALO 116111, dy mjete të rëndësishme për ndihmën dhe raportimin e rasteve të bullizmit dhe dhunës ndaj fëmijëve.
Diskutimi u zhvillua në kuadër të projektit ‘netSMARTkids Shqipëri’, e financuar nga Programi Europa Doxhitale e Bashkimit Europian.
Për më shumë info, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al