
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve rrjeti Eurochild bën publik raportin për gjendjen e fëmijëve në Europë, përfshi edhe Shqipërinë. Seksioni i Raportit për Shqipërinë ngre shqetësime serioze mbi nivelin e varfërisë së fëmijëve, gjendjen e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve dhe dhunën ndaj tyre.
Bruksel, 20 nëntor 2024 – Në Ditën Botërore të Fëmijëve, Eurochild publikon raportin e tij më të fundit ‘Realitetet e fëmijëve në Europë: Progres dhe Mangësi‘, i cili prezanton informacionin e mbledhur nga 57 anëtarë të Eurochild në 31 vende të Evropës dhe jep një pasqyrë të realiteteve të fëmijëve që jetojnë në këto vende. Raporti për të dytin vit rradhasi, përfshin edhe Shqipërinë. Raporti ka për qëllim të identifikojë praktikat e mira dhe premtuese, zgjidhje që funksionojnë dhe rekomandime specifike për vendimarrësit në Bashkimin Europian dhe qeveritë kombëtare, mbi masat që duhet të marrin për të adresuar nevojat e fëmijëve.
Në të gjithë Europën, jemi dëshmitarë të pengesave shqetësuese, veçanërisht për fëmijët në situata të vulnerabilitetit. Ndonëse një sërë politikash publike mund të jenë në fuqi, ato shpesh nuk përkthehen në veprime konkrete apo nuk mbështeten nga fonde të mjaftueshme. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat për vitin 2023, 24.8% e fëmijëve në BE ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social. Krahasuar me vitin 2022, varfëria e fëmijëve mbetet tepër e lartë. Në mënyrë të veçantë, ajo u rrit në 16 vende, u ul në 9 vende dhe mbeti e pandryshuar në 2 vende. Rumania ka më shumë fëmijë në rrezik të varfërisë apo përjashtimit social, në 39%, pasuar nga Spanja me 34.5% dhe Bullgaria me 33.9%. Në Shqipëri 1 në 2 fëmijë është i rrezikuar nga varfëria.
“Nuk ka kohë për të pritur – miliona fëmijë në të gjithë Europën vazhdojnë të jetojnë në varfëri dhe përjashtim social. Të drejtat e tyre shpërfillen, zëri i tyre mbytet dhe përvojat e tyre nuk janë në lartësinë e vlerave mbi të cilat është themeluar BE. Me Europën që ndeshet me një krizë të kostos së jetesës dhe konfliktet në kufijtë e saj, ky mjedis i ri politik paraqet si sfida, ashtu edhe mundësi. Udhëheqësit europianë duhet të veprojnë tani për të sjellë ndryshime të prekshme për fëmijët— duke siguruar që e tashmja e tyre të jetë e sigurt, ashtu si edhe e ardhmja.” – tha H.E. Marie-Louise Coleiro Preca, Presidente e Eurochild.
Në vitin 2024, Europa ishte dëshmitare e një numri të paprecedentë zgjedhjesh në nivel kombëtar. Ndërsa disa vende kanë ndërmarrë hapa për të nxitur dhe mbrojtur të drejtat e fëmijëve, shumë të tjerë duhet të intensifikojnë përpjekjet e tyre. Kjo shumëllojshmëri pasqyrohet në realitetet e jetuara të fëmijëve në të gjithë Europën. Mangësitë në trajtimin e çështjeve si ndryshimet klimaterike, shëndeti mendor dhe siguria dixhitale vijojnë të mbeten të pazgjidhura, duke kërkuar vëmendje urgjente nga udhëheqja e re politike e BE-së për të mbrojtur fëmijët më të pambrojtur.
Për më shumë informacion mbi Shqipërinë, ju lutemi kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al