
Tiranë, 28 Mars 2025 – Në kuadër të Fushatës Kombëtare për një Internet të Sigurt, ekipet e iSIGURT.al, ALO 116-111 dhe CRCA/ECPAT Shqipëri udhëtuan në disa qytete të vendit, si Korçë, Maliq, Librazhd, Gramsh dhe Burrel, për të zhvilluar orë informuese dhe ndërgjegjësuese me nxënësit e shkollave.
Qëllimi i aktiviteteve ishte edukimi i të rinjve mbi rreziqet e internetit dhe mënyrat efektive për t’u mbrojtur në hapësirën dixhitale. Gjatë diskutimeve të hapura, nxënësit ndanë përvoja personale dhe shprehën shqetësime mbi përdorimin e rrjeteve sociale, sigurinë e të dhënave dhe bullizmin online, duke theksuar nevojën për më shumë edukim dixhital në shkolla.
Ekspertët e sigurisë online ofruan këshilla praktike dhe nxitën diskutime rreth rolit të figurave publike në përçimin e mesazheve pozitive për një internet të sigurt dhe gjithëpërfshirës. Prindërit dhe mësuesit gjithashtu u përfshinë në dialog mbi sfidat që teknologjia sjell në jetën e fëmijëve.
Një element kyç i sesioneve ishte prezantimi i Platformës Kombëtare për Sigurinë Online – iSIGURT.al, e cila lejon fëmijët dhe familjet të raportojnë incidente serioze në internet. Paralelisht, Linja e Ndihmës për Fëmijët – ALO 116-111 u promovua si një burim jetik që ofron këshillim dhe mbështetje për fëmijët dhe prindërit, duke ndihmuar në krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më mbrojtës për të gjithë.
Ky aktivitet është pjesë e projektit “netSMARTkids”, i mbështetur nga Komisioni Evropian, i cili synon të forcojë bashkëpunimin midis fëmijëve, të rinjve, prindërve dhe edukatorëve për të siguruar një internet më të sigurt dhe më të përgjegjshëm për të rinjtë.
Fushata vazhdon, duke u fokusuar në ndërtimin e një mjedisi të sigurt dixhital përmes edukimit të vazhdueshëm, ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes aktive.