
Mbi 2000 fëmijë, prindër, mësues dhe stafe psiko-sociale u përfshinë në fushatën ndërgjegjësuese një mujore për një internet më të sigurtë për fëmijët dhe të rinjtë. Ndërkohë Fushata ndërgjegjësuese vazhdon shkollë më shkollë anembanë Shqipërisë, tashmë në kuadër të Planit të Veprimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe partnerët tanë.
Tiranë, 12 Mars 2025 – Me organizimin e mbi 30 aktiviteteve sensibilizuese dhe përfshirjen e mbi 2,000 fcmijëve dhe prindërve, fushata për Ditën dhe Muajin e Internetit të Sigurt 2025 është mbyllur me sukses. Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri – iSIGURT.al, në bashkëpunim me CRCA Shqipëri dhe ALO 116-111, ka zhvilluar aktivitete të shumta në shkolla, qendra komunitare dhe qendra shëndetësore, duke u fokusuar në ndërgjegjësimin mbi sfidat dhe rreziqet në hapësirën dixhitale.
Në kuadër të kësaj fushate, u mbajt Forumi i 10-të Kombëtar: “Së Bashku kundër Bullizmit dhe Gjuhës së Urrejtjes në Hapësirën Kibernetike”, ku morën pjesë institucione të rëndësishme si Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Autoriteti Shtetëror për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve (ASHDMF), Policia e Shtetit dhe Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH). Gjatë Forumit u prezantua Raporti Kombëtar i iSIGURT.al për vitin 2024, i cili tregoi një rritje me 60% të raportimeve krahasuar me vitin e kaluar, ku shqetësimet kryesore ishin gjuha e urrejtjes, bullizmi dhe kërcënimet online.
Një nga nismat më të rëndësishme të fushatës ishte zhvillimi i seancave informuese në 1,100 shkolla, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ku mësuesit mbajtën orë të dedikuara për sigurinë kibernetike. Po ashtu, bashkëpunimi me Këshillin e Prindërve në shkollat e Tiranës ndihmoi në rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet online dhe masat mbrojtëse që duhet të ndërmerren. Për më tepër, Platforma iSIGURT.al dhe ALO 116-111 nisën hartimin e protokolleve profesionale për punonjësit socialë, psikologët dhe mësuesit, me qëllim adresimin më efektiv të rasteve të rrezikut në internet.
ALO 116-111 ofroi mbështetje 24/7 për fëmijët dhe të rinjtë, duke trajtuar 954 thirrje, nga të cilat 15 raste kishin të bënin me sigurinë në internet. Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u identifikuan dhe mbyllën 5 faqe të dëmshme, ndërsa u zbuluan individë që shantazhonin vajza të reja me përmbajtje të paligjshme, duke ndihmuar në mbrojtjen e të miturve nga rreziqet online.
Fushata për Ditën e Internetit të Sigurt pati një shtrirje të gjerë në media dhe rrjete sociale, duke përfshirë publikimin e 1200 artikujve në media të shkruara, 6 transmetime radiofonike dhe 12 paraqitje televizive. Gjithashtu, numri i ndjekësve në rrjetet sociale u rrit ndjeshëm, me 2059 ndjekës të rinj në Facebook dhe 1976 në Instagram, ndërkohë që pati një angazhim të lartë edhe në platforma si LinkedIn, TikTok, YouTube dhe X (Twitter).
Ky muaj sensibilizues ka treguar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për të siguruar një mjedis më të sigurt online për fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri. iSIGURT.al, CRCA Shqipëri, ALO 116-111 dhe partnerë të tjerë angazhohen të vazhdojnë punën për forcimin e mekanizmave mbrojtës dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi sigurinë në internet.