Tiranë, 23 Maj 2025 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Fëmijët e Humbur, CRCA-ECPAT Shqipëri dhe Linja Kombëtare për Fëmijët e Humbur – ALO 116-000, organizuan një zinxhir njerëzor simbolik përballë Kryeministrisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, për të dhënë një mesazh të fortë: Mos na harroni!

Qytetarë, aktivistë, dhe përfaqësues të institucioneve u bashkuan në këtë akt simbolik për të nderuar kujtimin e dhjetëra fëmijëve të zhdukur në Shqipëri dhe për të kërkuar angazhim konkret nga shteti për parandalimin dhe hetimin e këtyre rasteve.

120 fëmijë raportohen të humbur çdo vit në Shqipëri – një numër alarmues që nuk mund të injorohet. Prej tyre, të paktën 12 janë ende të pagjetur, përfshirë: Bleona Mata, Azize Mirlak, Jasmina Jasharaj, Jonuz Luga, Julian Cela, Juliana Hoxha, Mateo Bejaj, Mitat Ibrahimi, Ndue Nikolla, Violeta Nikolla dhe Xhevair Gezdari.

Pjesëmarrësit kërkuan vendosjen urgjente të sistemit AMBER Alert nga Policia e Shtetit – një mjet jetik që do të përmirësonte ndjeshëm kohën dhe efektivitetin në identifikimin dhe gjetjen e fëmijëve të humbur.

“Humbja e një fëmije nuk është vetëm një tragjedi për një familje, por një sfidë për të gjithë shoqërinë” – u theksua nga organizatorët. Kërkohet bashkëpunim institucional, reagim i menjëhershëm dhe politika të mbështetura në të dhëna dhe teknologji për të siguruar që asnjë fëmijë të mos harrohet.

Përmes këtij zinxhiri solidariteti, pjesëmarrësit përcollën një mesazh të qartë: Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i sigurt, i mbrojtur dhe pranë familjes së tij. Shqipëria nuk mund të heshtë përballë zhdukjes së tyre.


Detajet e Lajmit
May 23, 2025
165
Kategoria