
Rritja e mbështetjes së BE-së për Qendrat për Internet të Sigurt në Ballkan sjell krijimin e Rrjetit Rajonal
Në kuadër të përpjekjeve për të garantuar sigurinë e fëmijëve dhe të rinjve në hapësirën dixhitale, Bashkimi Europian ka zgjeruar mbështetjen për Qendrat për Internet të Sigurt në vendet e Ballkanit Perëndimor. Falë kësaj mbështetje Qendrat kanë forcuar bashkëpunimin e tyre, i cili ka sjellë, ndër të tjera, edhe krijimin e Rrjetit Rajonal të Qendrave për Internet të Sigurt në Ballkanin Perëndimor, duke lehtësuar bashkëpunimin ndërmjet vendeve për adresimin e sfidave të përbashkëta.
ORGANIZATA ZBATUESE: SIC Albania, Bosnia and Croatia, in partnership with CSOs in Kosovo, North Macedonia, Montenegro and Serbia.
VENDI: Të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (WB6)
KOHËZGJATJA: October 2024 – në vazhdim
PËRMBLEDHJE
Nisma “Krijimi i Rrjetit të Qendrave për Sigurinë Dixhitale të Fëmijëve në Ballkanin Perëndimor – WB-SIC” është një përpjekje e përbashkët rajonale për të përmirësuar mbrojtjen e fëmijëve ndaj rreziqeve në internet, në një kohë kur hapësira dixhitale po bëhet gjithnjë e më e pasigurt për fëmijët dhe të rinjtë. Kjo nismë synon të përmirësojë mbrojtjen e fëmijëve nga dëmet dixhitale në gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, përmes krijimit të një rrjeti rajonal – WB-SIC Network. Rrjeti bashkon aktorë dhe organizata që punojnë për sigurinë online të fëmijëve, duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet tyre dhe me institucionet shtetërore. Objektivi është krijimi i një qasjeje të koordinuar për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet online si abuzimi seksual, bullizmi dixhital dhe përmbajtjet e papërshtatshme.
Vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfida të përbashkëta në këtë fushë, përfshirë mungesën e strukturave të qëndrueshme për raportimin dhe trajtimin e incidenteve online që prekin fëmijët, kapacitete të kufizuara institucionale dhe boshllëqe në legjislacionin dhe zbatimin e tij. Vetëm gjatë vitit 2023, më shumë se 13,000 incidente online që përfshinin fëmijë janë regjistruar dhe raportuar nga organizatat partnere në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Bosnje-Hercegovinë dhe Mal të Zi. Rastet përfshijnë forma të ndryshme të dhunës online, si bullizmi kibernetik, shantazhi seksual, qasja në përmbajtje të dëmshme dhe përfshirja në rrjete të trafikimit përmes mediave sociale. Këto shifra tregojnë për një situatë alarmante që kërkon ndërhyrje të koordinuar dhe veprim të menjëhershëm në nivel rajonal.
Kjo nismë jo vetëm që forcon kapacitetet lokale për mbrojtjen e fëmijëve në internet, por shërben edhe si një model bashkëpunimi rajonal, me potencial për t’u zgjeruar dhe institucionalizuar në të ardhmen nëpërmjet mekanizmave më të fuqishëm të bashkëpunimit politik dhe ndërkombëtar.
OBJEKTIVAT
WB-SIC synon të krijojë një rrjet funksional qendrash për sigurinë dixhitale të fëmijëve, që do të ndihmojë në arritjen e objektivave si vijon:
- Forcimin dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal për mbrojtjen e fëmijëve online.
- Ndërtimin dhe forcimin e mekanizmave kombëtarë si helpline dhe hotline në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
- Përdorimin e Modelit të Përgjigjes Kombëtare (NRM) për të vlerësuar dhe përmirësuar qasjet institucionale.
- Harmonizimin e politikave dhe kuadrove ligjore në fushën e mbrojtjes së fëmijëve në internet.
- Krijimin e një platforme të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet organizatave, institucioneve shtetërore dhe aktorëve ndërkombëtarë.
- Rritjen e ndërgjegjësimit për sigurinë dixhitale tek fëmijët, prindërit dhe profesionistët.
AKTIVITETET KRYESORE
- Krijimi i rrjetit WB-SIC – U krijua rrjeti rajonal i Qendrave për Sigurinë e Fëmijëve në Internet me pjesëmarrjen e gjashtë vendeve të rajonit.
- Hartimi i deklaratës së përbashkët – Përgatitja dhe nënshkrimi i një deklarate të përbashkët nga partnerët, për të përcaktuar angazhimet dhe fushat prioritare të bashkëpunimit.
- Përdorimi i modelit të përgjigjes kombëtare – Adoptimi i modelit të përgjigjes kombëtare si mjet për të forcuar politikat dhe qasjet ndaj OCSEA (abuzimit dhe shfrytëzimit seksual online të fëmijëve).
- Organizimi i tryezave të rrumbullakëta me aktorë kyç për rritjen e ndërgjegjësimit mbi rreziqet online për fëmijët, të mbështetura në evidencë nga raportet kombëtare të vlerësimit.
- Organizimi i trajnimeve për rritjen e kapaciteteve të profesionistëve që punojnë me dhe për fëmijët, për parandalimin dhe reagimin ndaj abuzimit online.
- Organizimi i fushatave ndërgjegjësuese dhe krijimi i grupeve këshillimore rinore për të informuar dhe angazhuar të rinjtë, viktimat e mundshme, kryerësit potencialë dhe komunitetin në tërësi.
REZULTATET DHE IMPAKTI
- U ngrit një rrjet funksional dhe i koordinuar në nivel rajonal për sigurinë dixhitale të fëmijëve
- U krijua një platformë bashkëpunimi për ndarjen e përvojave, sfidave dhe zgjidhjeve mes vendeve
- U rrit ndërgjegjësimi për nevojën e një qasjeje të unifikuar në nivel politikash dhe institucioneve kombëtare.
FAKTORËT E SUKSESIT
- Mbështetja e Programit Europa Dixhitale për herë të parë përfshiu mbështetjen për dy organizata në Ballkanin Perëndimor, për vende që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së.
- Eksperienca e gjatë e organizatave zbatuese në fushën e mbrojtjes së fëmijëve online.
- Bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë si INHOPE dhe ECPAT.
- Mbështetja në të dhëna konkrete dhe kërkime për të ndërtuar argumentimin dhe ndërhyrjen.
MËSIMET E NXJERRA
- Mungesa e hotlines dhe helplines në disa vende është një pengesë serioze për mbrojtjen e fëmijëve.
- Ka nevojë për më shumë mbështetje institucionale dhe financiare për aktorët që punojnë në këtë fushë.
- Trajnimi dhe ngritja e kapaciteteve të aktorëve shtetërorë është thelbësor për ndërhyrje efektive.
MUNDËSIA PËR REPLIKIM DHE REKOMANDIME
- Krijimi i rrjeteve të tilla mund të përsëritet edhe në rajone të tjera me sfida të ngjashme.
- Rekomandohet që vendet që nuk kanë ende Hotline apo Helpline ta vendosin këtë prioritet.
- Përdorimi i Modelit të Përgjigjes Kombëtare dhe bashkëpunimi ndërkufitar janë thelbësor për suksesin.