Bruksel, 21 Nëntor 2024 – Forumi Europian për një Internet më të Sigurt (Safer Internet Forum 2024) u zhvillua sot në Bruksel, me një fokus të veçantë te pjesëmarrja aktive e vetë fëmijëve dhe të rinjve në përpjekjet për një mjedis dixhital më të sigurt. Një ndër momentet kulmore të forumit ishte prezantimi i Emilit, vajzës së parë nga Shqipëria që i bashkohet Nismës Europiane “Better Internet for Kids” (BIK) të Bashkimit Europian.

Emili u angazhua si zë i fëmijëve shqiptarë për të kontribuar në përmirësimin e sigurisë online dhe mbrojtjen e të rinjve nga dhuna, abuzimi dhe rreziqet që shfaqen në hapësirat dixhitale. Së bashku me të rinj nga e gjithë Evropa, ajo mori pjesë në një panel ku u ndanë mesazhe të fuqishme dhe nxitëse për të vijuar përpjekjet kundër çdo forme të dhunës online.

Pjesëmarrja e saj është pjesë e një iniciative të gjerë të BIK për të fuqizuar zërin e të rinjve dhe për t’i përfshirë ata në hartimin e politikave të sigurisë dixhitale. Ky rrjet rinor synon të krijojë një internet më të sigurt dhe gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët dhe adoleshentët.

Në Shqipëri, nisma po mbështetet dhe zgjerohet nga CRCA/ECPAT Shqipëri, e cila ka nisur ngritjen e Grupit Kombëtar të të Rinjve për Sigurinë në Internet, me synimin që ai të shtrihet në të gjitha bashkitë e vendit. Të rinjtë do të angazhohen për të identifikuar rreziqet online dhe për të promovuar edukimin dhe ndërgjegjësimin për një internet të sigurt në komunitetet e tyre.

Nisma Better Internet for Kids (BIK) është pjesë e strategjisë BIK+ të Bashkimit Europian dhe mbështetet nga rrjeti Insafe-INHOPE. Ajo synon të krijojë një hapësirë dixhitale që mbron fëmijët nga rreziqet, promovon mirëqenie online dhe nxit përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të teknologjisë.

CRCA/ECPAT Shqipëri është një nga organizatat kryesore në vend për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve. Që nga viti 2015, ajo drejton platformën ISIGURT.AL – Linja Kombëtare për Sigurinë në Internet, e cila ofron mbështetje, raporton përmbajtje të dëmshme dhe lufton abuzimin seksual online ndaj fëmijëve.

Për më shumë informacion, ju lutemi kontaktoni:


CRCA/ECPAT Shqipëri
📧 Email: crca@crca.al
🌐 Web: www.crca.al


Detajet e Lajmit
November 21, 2024
92
Kategoria