
Nga: Erjon Muharremaj, Pedagog, Fakultetit të Drejtësisë, UT
20 Nëntori është Dita Botërore e Fëmijëve, por këtë vit Shqipëria e priti e tronditur nga vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani prej bashkëmoshatarit të tij, me të cilin uleshin në bankat e të njëjtës shkollë. Martinin e ndjerë dhe fëmijët e tjerë të këtij vendi i ka braktisur shkolla dhe shoqëria shqiptare në tërësi, me mjedisin e dhunshëm me të cilin i rrethon përditë.
Shumëkush, pa u thelluar për shkaqet e vërteta të këtij realiteti të dhunshëm, në të cilin rrisim fëmijët tanë, fajëson rrjetet sociale, a thua se ato nuk mbushen me mesazhe të dhunshme prej vetë pjesëtarëve të kësaj shoqërie.
Fëmijët shohin dhunë në familjet e tyre, në atë mjedis që atyre duhet t’u ofrojë dashuri, përkujdesje dhe ngrohtësi. Statistikat tregojnë se dhuna në familje, në Shqipëri po shënon rritje nga viti në vit.
Fëmijët shohin dhunë në atë që duhet të ishte tempulli i demokracisë, në Kuvendin e Shqipërisë, ku kolegu opozitar nuk konsiderohet si “rival” me të cilin duhet debatuar në mënyrë të qytetëruar mbi alternativat e ndryshme të zhvillimit të vendit e të shoqërisë, por si “armik” që duhet goditur me grusht, sharë, përdhosur, etiketuar me fjalor banal e rrugaçëror, spërkatur me bojë, apo djegur me flakadanë. Çfarë presim nga fëmijët tanë, kur deputetët e Kuvendit në rastin më të mirë nuk dinë as të belbëzojnë për “kërpëratat”, apo kur rreshtohen njëri pas tjetrit në fletëthirrjet e SPAK?
Fëmijët shohin dhunë të përditshme në median e shkruar dhe televizive, e cila në konkurrencë për klikime dhe shikues, nxiton të transmetojë kronikën e zezë të radhës. Në media marrin vëmendjen më të madhe politikanët, oligarkët, analistët, e gjithfarë “gjithologësh”, por rrallë intelektualët e mirëfilltë, ekspertët, arsimtarët, njerëzit e përkushtuar ndaj dijes. Modeli i suksesit që u serviret fëmijëve është ai i të fortit, “Gonzalesi” që shet drogë, shëtit me vetura të shtrenjta, shoqërohet me vajza të bukura, që arrin çdo gjë që dëshiron, me fuqinë e parasë. Nuk ka vend për atë që derdh djersë, që punon, që lexon, sepse ky lloj shqiptari “nuk është i zoti as për veten e vet”.
Fëmijët shohin dhunë në çerdhe, kur edukatorja e tërheq zvarrë dhe i thyen këmbën fëmijës 3-vjeçar, ngaqë qan. Fëmija ndihet dyfish i dhunuar kur edhe mjeku tek i cili shkon për të mjekuar këmbën e thyer, nuk e raporton rastin te organet ligjzbatuese.
Fëmijët shohin dhunë në shkollë, kur mësuesi i gjeografisë, në vend që t’i shpjegojë nxënësit gjeografinë e Shqipërisë, godet nxënësin e mitur, sikur të ishte boksier, apo kur mësuesi abuzon seksualisht me nxënësen e mitur.
Fëmijët shohin dhunë në mjedisin që i rrethon, kur shohin që mjediset që dikur ishin fusha sporti, apo Muzeu i Shkencave të Natyrës, janë shndërruar në kulla shumëkatëshe. E për t’u argëtuar, fëmijëve u duhet t’u kërkojnë prindërve t’i çojnë te qendra tregtare, ku gjejnë me shumicë lojra elektronike, me pistoleta e automatikë që gjuajnë me rreze lazer. Pastaj ankohemi se pse ekipet tona kombëtare mbahen në këmbë kryesisht me sportistë të rritur jashtë Shqipërisë.
Sigurisht, që duke mos u rritur me mjedisin e gjelbëruar që në vegjëli, këta fëmijë nuk do të kenë ndjeshmëri për të mbrojtur mjedisin kur të rriten, e as do të protestojnë kur të ndërtohet hidrocentrali apo aeroporti i radhës, në zonën e (pa)mbrojtur. Siç rriten fëmijët sot, kështu do të jetë Shqipëria nesër.
Siç ka thënë Kai Erikson: “Njeriu është një kafshë e veçantë…diapazoni i sjelljeve të tij si një organizëm, praktikisht nuk njeh kufij, meqë ai vetë është krijesë e instinkteve që nuk kufizohen. Në këtë sens, kultura është ajo që vendos limitet në sjelljen njerëzore, duke kompensuar kështu faktin që biologjia nuk ka arritur të vendosë shumë kufizime natyrore…Kultura pra, është hapësira morale brenda së cilës njerëzit jetojnë…”
Nëse duam që të rrisim fëmijë të shëndetshëm sot, që të bëhen qytetarë të denjë të Shqipërisë nesër, duhet të investojmë si shoqëri në arsim e kulturë, që fëmijët të mos mbajnë thika në duar, por libra.
Kujtimi i Martinit duhet të na shërbejë si shoqëri për të reflektuar, sepse në këtë rrugë të “zhvillimit” që jemi duke ndjekur, ngjarje të tilla të dhimbshme do të përsëriten në vijimësi, dje te “Fan Noli”, sot te Qyteti “Studenti”, nesër në cilindo qytet tjetër të Shqipërisë.
Deklarata e mohimit: Opinionet e shprehura nga autori, jo detyrimisht përfaqësojnë mendimet apo opinionet e CRCA/ECPAT Shqipëri.