Tiranë 31 Janar 2024 – CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Koalicioni për Arsimin në Shqipëri janë seriozisht të shqetësuar për nivelin e bullizmit që raportohet nga fëmijët që ndjekin arsimin parauniversitar publik. Ngjarja më e fundit u shfaq dje në mbrëmje në programin investigativ televiziv “Fiks Fare”, ku një vajzë – viktimë e bullizmit gjatë dy viteve të fundit, për shkak të mungesës së veprimit nga shkolla, kishte menduar të kryente vetëvrasje. Vetëm pak muaj më parë një djalë 15-vjeçar u vra nga bashkëmoshatari i tij, sepse ai e bullizonte online.

Shkollat duhet të jenë mjedise që garantojnë mirëqenien e fëmijëve tanë, të cilat me vendosmëri dhe angazhim duhet të jenë shkolla të sigurta – të gatshme dhe të përgatitura që të trajtojnë çdo formë të bullizmit dhe të dhunës. Çdo fëmijë meriton të mësojë dhe të rritet i lirë nga frika dhe dhuna, ndaj është detyra jonë kolektive që të garantojmë sigurinë e tyre brenda mjediseve të shenjta të arsimit.

CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Koalicioni për Arsimin në Shqipëri gjithnjë kanë mbrojtur dhe promovuar sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve në arsimin publike. Bazuar në realitetin e ashpër që tregojnë raportimet e bëra nga vetë fëmijët dhe prindërit, ne me anë të kësaj deklatrate i rekomandojmë me të gjithë forcën tonë Ministrisë së Arsimit, që të veprojë urgjentisht për të shqyrtuar politikat, rregulloret dhe mekanizmat që janë në fuqi në çdo shkollë, duke marrë në konsideratë dhe zbatuar parimet dhe masat e mëposhtme:

1. Politikat publike arsimore duhet të nxisin Tolerancën Zero për Bullizmin dhe Dhunën në Shkollë. Shkollat duhet të refuzojnë kategorikisht çdo formë bullizmi, ngacmimi, apo dhune brenda mjediseve të tyre. Çdo fëmijë ka të drejtë për një mjedis të sigurt dhe ushqyes që të mësojë dhe të çliruar nga dhuna. Lidhur me këtë, ne i rekomandojmë Ministrisë së Arsimit që të miratojë politika dhe plane të reja veprimi për të nxitur tolerancën zero për bullizmin dhe dhunën në srsimin publik parauniversitar dhe hapat sesi do të arrihet kjo.

2. Arsimi duhet të tregojë se ka empati: Ministria e Arsimit duhet të zbatojë programe të reja gjithëpërfshirëse arsimore që edukojnë empatinë, mirësinë dhe respektin për diversitetin njerëzor. Duke nxitur zhvillimin e kompetencave të të kuptuarit dhe të menduarit kritik, ne hedhim bazat për një kulturë që feston dallimet ndërmjet individëve në vend që t’i shfrytëzojë ato për të gjeneruar bullizëm apo dhunë.

3. Zbato ndërhyrje aktive: Siç e theksuam edhe më sipër është e rëndësishme të miratohen politika të reja arsimore për të lejuar arsimin në tërësi dhe shkollat që të angazhohen për ndërhyrje të shpejta dhe vendimtare në rastet e bullizmit apo dhunës. Mekanizmat e raportimit duhet të rishikohen pasi ato duhet të jenë të arritshme për çdo fëmijë, duke siguruar që çdo incident trajtohet dhe të zgjidhet menjëherë, duke përfshirë dhënien e informacionit për ALO 116-111: Linja Kombëtare e Ndihmës për Fëmijët në Shqipëri.

4. Përfshini Komunitetin dhe OSHC-të në reformimin edhe punën e arsimtarëve dhe të shkollave: Ministria e Arsimit dhe shkollat në të gjithë Shqipërinë duhet të njohin rolin jetik që luan mbështetja tek komuniteti dhe organizatat e shoqërisë civile. Prindërit, komunitetet lokale dhe OSHC-të duhet të ftohen të angazhohen në mënyrë aktive në krijimin dhe promovimin e shkollave të sigurta, programeve të informimit dhe edukimit jo formal ekstra kurikulare apo pas-orarit mësimor.

5. Fëmijët kanë nevojë për mbështetje për shëndetin dhe mirëqenien mendore në shkollë: Bullizmi dhe dhuna kanë një ndikim të thellë në shëndetin mendor të fëmijës. Prandaj, Ministria e Arsimit dhe shkollat publike e kanë për detyrë të ofrojnë shërbime të përshtatshme këshillimore dhe mbështetëse si për viktimat, ashtu edhe për bulluesit / dhunuesit, duke nxitur rehabilitimin, nëpvrmjet mbështetjes që vjen nga psikologët e shkollave dhe nga shërbimet e kujdesit dhe mbrojtjes shoqërore të ofruara nga OSHC-të.

6. Duhet qasje holistike ndaj disiplinës përkundrejt fëmijëve: Masat disiplinore nuk duhet të përqendrohen në largimin apo dëbimin e fëmijëve “të këqij” nga bankat e shkollave. Nevoja për disiplinë duhet të administrohet në mënyrë të drejtë dhe të qëndrueshme, me fokus edukimin dhe rehabilitimin e atyre që kryejnë sjellje të dëmshme, duke garantuar sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë komunitetit shkollor. Në lidhje me këtë, koordinimi me Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe OSHC-të mund të ofrojë një mbështetje më të gjerë për fëmijët, mësuesit dhe komunitetin.

7. Zhvillimi dhe trainimi profesional i mësuesve: Ne jemi të lumtur që dje Ministria e Arsimit paraqiti një plan kombëtar për trajnimin dhe zhvillimin e mësuesve. Ndonëse është fakt që qasja e ndjekur nga Ministria duket më shumë e udhëhequr nga donatorët, ne besojmë se ka ende kohë për të krijuar mundësi të barabarta për të gjithë ata që do të donin të kontribuonin në trajnimin dhe formimin profesional të mëtejshëm të mësuesve. Ndër të tjera, mësuesit duhet të marrin trainim të vazhdueshëm për të identifikuar dhe trajtuar shenjat e bullizmit dhe dhunës. Duke fuqizuar mësuesit me mjetet e nevojshme, ne forcojmë aftësinë e tyre për të krijuar një mjedis të sigurt dhe gjithpërfshirës të të mësuarit.

8. Krijoni Hapësira të Sigurta në çdo shkollë: Ministria e Arsimit, si institucioni përgjegjës për të gjitha aspektet e arsimit, duhet të udhëheqë përpjekjen për të krijuar hapësira të sigurta brenda shkollave (klasa apo mjedise të veçanta) ku fëmijët të ndihen të sigurt dhe të lirë nga frika e dhunës apo bullizmit. Këto hapësira shërbejnë si strehë për shprehjen, dialogun dhe zgjidhjen e problemeve me mbështetjen e mësuesve, psikologëve të shkollave dhe të organizatave komunitare.

Ne besojmë se në këtë udhëtim për t’i kthyer shkollat tona në bastione të sigurisë, tolerancës dhe të të mësuarit, duhet të veprojmë së bashku. Ministria e Arsimit duhet të udhëheqë angazhimin tonë të përbashkët drejt kthimit të shkollave në shkolla të sigurta, ku çdo fëmijë mund të lulëzojë, i lirë nga hijet e bullizmit dhe dhunës. Së bashku, ne mund të krijojmë një peizazh arsimor që jo vetëm jep njohuri, por edhe ushqen empatinë, dhembshurinë, dashurinë dhe mirëqenien e brezave tanë të ardhshëm.

***


Detajet e Lajmit
January 31, 2024
929
Kategoria