
Tiranë, 29 Janar 2019 – CRCA/ECPAT Shqipëri së bashku me nën-kryetaren e Grupit Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, deputeten Erisa Xhixho, depozituan sot në mëngjes kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal ekzistues, nisur nga situata më e fundit ku vetëm gjatë muajit janar janë raportuar të paktën gjashtë raste të dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve.
Nisma legjislative u bë publike nga deputetja Erisa Xhixho, e cila e dorëzoi kërkesën në Kuvend, si një nismë të një deputeti të vetëm, ndërkohë që propozimet janë përgatitur nga ekipi i avokatëve dhe juristëve të Zyrës së Ndihmës Ligjore për Fëmijët dhe të Rinjtë të CRCA/ECPAT Shqipëri.
“Duke vërejtur se mangësi ka edhe në legjislacionin tonë penal, pavarësisht ndërhyrjeve të shpeshta që janë bërë, e konsideroj domosdoshmëri ashpërsimin e ligjit penal për çdo veprim që cenon të miturit.” – tha deputetja Xhixho në bërjen publike të nismës legjislative.
Ndryshimet e propozuara prekin tre nene të Kodit Penal të Shqipërisë, përkatësisht nenet 100 dhe 101, të cilat trajtojnë marrëdhënien seksuale me dhunë ndaj fëmijëve nën moshën 14 vjeç dhe atyre ndërmjet moshës 14 dhe 18 vjeç. Në këtë kuadër propozimet ligjore kërkojnë rritjen e moshës së dhënies së pëlqimit për marrëdhënien seksuale nga 14 në 16 vjeç, si dhe ndalimin e kryerjes së marrëdhënieve seksuale të të rriturve me një fëmijë nën moshën 18 vjeç.
Gjithashtu janë propozuar përfshirja në Kod e dy veprave të reja penale siç janë nxitja e fëmijëve për të hyrë në marrëdhënie seksuale dhe komunikimi me fëmijën për qëllime seksuale Propozimi i fundit ligjor ka të bëjë me rregullime të mëtejshme të nenit të konsideruar si “pornografia e fëmijëve”, ku është kërkuar që të shtohet edhe një paragraf i ri për materialet me përmbajtje të dhunës seksuale duke përdorur teknologjitë e avancuara dhe inteligjencën artificiale.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm që së shpejti do të bëhet publik drafti i Kodit të ri Penal – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri – por pedofilët dhe grabitqarët seksualë nuk presin miratimin e kodeve të reja! Përkundrazi duke ditur që Kodi aktual ju le atyre hapësira për të kryer veprime seksuale që sot nuk përbëjnë krime ndaj fëmijëve, rreziku ekziston që përgjatë kësaj periudhe të përballemi me krime të shtuara ndaj fëmijëve. Ndaj edhe miratimi i këtyre propozimeve është tepër urgjent, ndërkohë që Kodi i ri do të kërkojë të paktën një vit a më shumë që të miratohet dhe të hyjë në fuqi!”
CRCA/ECPAT Shqipëri ka që nga viti 2016 që ka kërkuar përmirësime të Kodit Penal për të përfshirë krime të reja seksuale që ndodhin ndaj fëmijëve, përfshi edhe rritjen e moshës së dhënies së pëlqimit për marrëdhënien seksuale nga 14 në 16 vjeç. Por. Kuvendi ka insistuar që ato do të përfshihen në Kodin e ri Penal.
Deputetja Erisa Xhixho ka një eksperiencë të gjatë në aktivizimin e saj për ligje më të forta për mbrojtje e fëmijëve nga dhuna seksuale. Në vitin 2019, së bashku me CRCA/ECPAT Shqipëri, ajo udhëhoqi përpjekjen për dorëzimin në Kuvendin e Shqipërisë dhe më pas miratimin e ligjit për regjistrin kombëtar të të dënuarve për krime seksuale në Shqipëri. Ligji hyri në fuqi në Janar 2022.
Për më shumë informacion në lidhje me këtë nisme ligjore, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
Tel: +355422657541
E-mail: crca@crca.al