Vetëm dy ditë më parë Presidentja e Këshillit të BE-së, znj. Von der Leyen, vizitoi Shqipërinë dhe u takua me kryeministrin e vendit, për të biseduar për planin e rritjes ekonomike të vendit, të financuar nga Bashkimi Europian. Por, çfarë mbeti pa u diskutuar në takim, ishte niveli i lartë i pabarazisë gjinore, dhuna ndaj grave e vajzave, diskriminimi i hapur i komuniteteve më vulnerabël, sidomos atyre LGBTIQ+, Roma dhe personave me aftësi të kufizuar.

Pas mbi një viti diskutimesh me shoqërinë civile dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë, këtë Gusht, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, dërgoi për miratim në Kuvendin e Shqipërisë projekt-ligjin për Barazinë Gjinore. Qëllimi i ligjit shtrihet në disa plane, ku më kryesoret përfshinë përputhjen e legjislacionit të Shqipërisë me atë BE-së dhe Konventën e Stambollit të Këshillit të Europës, marrjen e masave shtetërore për arritjen e barazisë gjinore, respektin për identitetin gjinor, si një e drejtë bazë për çdo individ të lirë, si dhe forcimin e mekanizmit kombëtar të barazisë gjinore.

Fatkeqësisht, që prej publikimit të projekt-ligjit për konsultim publik, ne jemi përballur si me sulme personale ashtu edhe ndaj organizatave që përfaqësojmë, sidomos nga besimet fetare të organizuara në vend dhe politikanë të ekstremit të djathtë, të cilët nuk dëshirojnë arritjen e barazisë gjinore në Shqipëri. Ata janë përpjekur, nëpërmjet dizinformimit, ta paraqitin nismën si në kundërshtim me normat tradicionale shoqërore në vend, për shkak se ndër të tjera ligji kërkon të garantojë respektin për të gjitha identitetit gjinore. Për më tepër organizatat që përfaqësojnë komunitetin LGBTIQ+ dhe aleatët e tyre janë atakuar publikisht në media se duan që t’i bëjnë fëmijët në Shqipëri homoseksuale dhe transgjinorë, gjë që në të vërtetë përbën një mashtrim dhe manipulim të opinionit publik.

Ky projektligj përfaqëson një nga reformat kyç dhe më të rëndësishme ligjore që e sjell legjislacionin e vendit tonë në përputhje me standardet europiane të barazisë dhe mosdiskriminimit. Çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë projekt-ligj në mënyrë që të dobësojë konceptin e barazisë gjinore apo të përjashtojë kategori të caktuara njerëzish nga mbrojtja ligjore që shteti e ka për detyrë ta jap për çdo individ, do të përbënte një hap serioz prapa për vendin dhe anëtarësimin tonë në Bashkimin Europian.

Me anë të kësaj deklarate publike ne duam të shprehim shqetësimin tonë të thellë dhe serioz për klimën e tensionuar dhe fushatat dizinformuese që po shoqërojnë debatin publik për projekt-ligjin e ri për Barazinë Gjinore në Shqipëri. Sikur e gjithë kjo klimë dizinformimi, denigrimi dhe urrejtje të mos mjaftonte, dje mediat në vend bënë publike kërkesën e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, z. Taulant Balla, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku ai kërkon që projekt-ligjit t’i bëhen ndryshime serioze, duke eliminuar disa nga përmirësimet më esenciale që janë bërë nga ana e Ministrisë në përmbajtjen e tij, ku ndër të tjera përfshihet edhe garantimi për respektimin e identitetit gjinor, një detyrim ky që buron si nga Kushtetuta e Shqipërisë ashtu edhe aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar. Këto propozime minojnë qëllimin e projekt-ligjit të paraqitur, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në mos-përmbushjen e detyrimeve kombëtare dhe ndërkombëtare që ka Shqipëria.

Në bindjen tonë mos miratimi i projekt-ligjit sipas versionit të paraqitur nga Ministria e Shëndetësisë, vendos një pikëpyetje të madhe dhe serioze nëse Shqipëria dëshiron seriozisht të bëhet pjesë e familjes europiane dhe vlerave të saj për barazi, respekt dhe ku të drejtat e njeriut respektohen dhe gëzohen nga kushdo pa diskriminim, përjashtim apo duke nxitur urrejtjen ndaj qytetarëve më të pambrojtur. Në mendojmë se miratimi i projekt-ligjit me ndryshimet e propozuara nga Grupi Parlamentar i Partisë  Socialiste, cenon parimet themelore të barazisë dhe të drejtave të njeriut dhe do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, sepse:

  • Minon përputhshmërinë me Kapitullin 23 (Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) të Acquis, i cili kërkon respektimin e plotë të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së dhe të standardeve të Këshillit të Europës për barazinë gjinore (Konventa e Stabollit), si dhe Konventës CEDAW të OKB-së .

  • Vendos në rrezik të drejtpërdrejtë progresin e bërë në Kapitullin 19 (Politikat Sociale dhe Punësimi), që përfshin zbatimin e Direktivave të BE-së për barazinë midis grave dhe burrave në punë dhe në shoqëri, si dhe Direktivën 2006/54/EC për trajtim të barabartë.

  • Dëmton reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë (kriteri politik) si vend kandidat që ka bërë hapa domethënës për avancimin e të drejtave të grave dhe komuniteteve të margjinalizuara. Tërheqja nga këto parime do të ishte një tregues i qartë i regresit demokratik dhe mungesës së stabilitetit institucional në fushën e të drejtave të njeriut në Shqipëri.

  • Rrezikon mbështetjen politike dhe financiare të BE-së në fushat që lidhen me të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe përfshirjen sociale, pasi përparimi i Shqipërisë kushtëzohet me respektimin e vlerave themelore të Unionit, ku respekti për të drejtat e njeriut është një ndër kriteret bazë të saj.

Ndaj nisur nga kjo, organizatat që i bashkohen kësaj deklarate kërkojmë me vendosmëri sa më poshtë:

  1. Kuvendi i Shqipërisë të miratojë projektligjin në formën dhe përmbajtjen e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, pa ndryshime që deformojnë kuptimin e barazisë gjinore, identitetin gjinor apo kur ato kufizojnë mbrojtjen e individëve për shkak të identitetit apo shprehisë së gjinisë. Shteti shqiptar, në bazë të Kushtetutës dhe akteve ndërkombëtare ka për detyrë të garantojë respektin për identitetin gjinor dhe shprehitë e gjinisë, por jo t’i injorojë apo neglizhojë ato.

  2. Debati parlamentar për projekt-ligjin, si në Komisione ashtu edhe në Kuvend, duhet të zhvillohet në transparencë të plotë dhe pjesëmarrjen e organizatave kryesore të shoqërisë civile që punojnë në fushën e barazisë gjinore, të drejtave të grave dhe vajzave, fëmijëve dhe grupeve vulnerabël, përfituesit e të cilave preken drejtpërdrejtë nga ligji. Debati duhet të përfshijë edhe ekspertët më të mirë gjinorë nga akademia, si dhe institucionet ndërkombëtare.

  3. Institucionet europiane të ndjekin nga afër procesin e integrimit duhet urgjentisht të nxisin Qeverinë shqiptare që të ruajë dhe të forcojë standardet e përafrimit me legjislacionin e BE-së në mënyrë që Shqipëria të përmbushë të gjitha detyrimet dhe garancitë që burojnë nga Acquis dhe konventat ndërkombëtare.

  4. Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë e kanë për detyrë të riafirmojnë publikisht përkushtimin e tyre ndaj vlerave të barazisë, lirisë, respektit për të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha të mbrojtjes së dinjitetit njerëzor, vlera të cilat qëndrojnë në themel të rrugës së saj për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Nëse Shqipëria nuk arrin të mbrojë parimet e barazisë gjinore dhe të drejtave të njeriut në këtë moment kyç, ajo jo vetëm që do të humbasë besueshmërinë përballë qytetarëve të saj, por edhe përpara Bashkimit Europian, i cili ndërton anëtarësimin mbi respektimin e pakushtëzuar të këtyre vlerave.

Me respekt,

  1. Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA-ECPAT Shqipëri)
  2. Aleanca kundër Diskriminimit të LGBTI
  3. Fondacioni për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar (ADRF)
  4. Fondacioni “Së Bashku”
  5. Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut
  6. Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)
  7. Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE)
  8. Linja Kombëtare e Telefonit të Ndihmës për Fëmijët – ALO 116-111)
  9. Linja Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri
  10. Malaj Consulting
  11. Në Dobi të Gruas Shqiptare (NDGSH)
  12. Open Mind Spectrum Albania (OMSA)
  13. PINK Embassy Shqipëri / Ambasada PINK
  14. Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
  15. Qendra e Gruas “Hapat e Lehtë”
  16. Qendra Rinore H.A.N.A
  17. Qëndra Kombëtare per Shërbime Komunitare (NCCS)
  18. Qendra për Drejtësi Gjinore
  19. Qendra Strehëza “Edlira Haxhiymeri”
  20. Qendra Streha LGBTI
  21. Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (CLCI)
  22. Rrjeti i Fuqizimit të Gruas (AWEN)
  23. Roma Veritas Shqipëri
  24. Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN)
  25. Shoqata Pro LGBT
  26. Shoqata Kombetare e Grave Profesioniste, Afariste dhe Zejtare
  27. Shoqata Kombëtare Edukimi për Jetën
  28. Të ndryshëm & Të Barabartë


Detajet e Lajmit
October 17, 2025
232
Kategoria