Tiranë, 6 Tetor 2025 – CRCA-ECPAT Shqipëri njoftoi sot se do t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë miratimin e një projekt-ligji të ri për mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në hapësirën dixhitale. Ky projekt-ligj është i pari i këtij lloji në vend dhe synon të garantojë mbrojtjen, privatësinë dhe sigurinë e fëmijëve dhe adoleshentëve në internet, duke synuar që të përbëj një hap thelbësor në përballjen me rreziqet të cilat ata i përjetojnë çdo ditë online.

I konceptuar mbi përvojat dhe modelet më të mira ndërkombëtare – përfshirë Ligjin Brazilian për Statutin Digjital të Fëmijëve dhe Adoleshentëve, Aktin Britanik të Sigurisë Online, dhe Aktin Europian të Shërbimeve Digjitale (DSA) – projekt-ligji vendos standarde të reja për kompanitë dhe platformat online që operojnë në Shqipëri, si ato të huaja ashtu edhe ato vendase. Ai përafron legjislacionin shqiptar me normat më të avancuara të Bashkimit Europian për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në mjedisin dixhitale. Projekt-ligji vjen si kontribut i CRCA, në kuadër të nismës së përbashkët netSMARTkids Shqipëri, me Bashkimin Europian, në kuadër të Programit Europa Dixhitale.

Sipas CRCA/ECPAT Shqipëri, projekt-ligji mbështetet në katër shtylla kryesore:

a) Ndalimin e aksesit të fëmijëve në përmbajtje të papërshtatshme, seksuakle apo të dhunshme;

b) Detyrimin e platformave online për të vendosur sisteme efektive verifikimi të moshës dhe mekanizma të fuqishëm kontrolli prindëror;

c) Mbrojtjen e të dhënave personale të fëmijëve përmes parimit “privacy by default” (privatësi e garantuar që në dizajn);

d) Sanksione të forta ndaj subjekteve që shkelin ligjin, përfshirë gjoba të larta dhe ndalim aktiviteti në rast shkeljesh të përsëritura.

“Shqipëria ka nevojë urgjente për një kornizë ligjore që e mbron fëmijët dhe adoleshentët aty ku ata kalojnë pjesën më të madhe të kohës: në internet. Ky projekt-ligj është një hap i madh drejt garantimit të një hapësire dixhitale të sigurt për çdo fëmijë,” – deklaroi Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA-ECPAT Shqipëri.

Në Shqipëri, sipas të dhënave të publikuara nga iSIGURT.al dhe organizatat që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, numri i rasteve të fëmijëve që përballen me ngacmim, dhunë apo shfrytëzim online është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Megjithatë, mungesa e një ligji të posaçëm për mbrojtjen e tyre në hapësirën digjitale ka penguar zbatimin e masave efektive.

Projekt-ligji i propozuar nga CRCA/ECPAT Shqipëri synon t’i japë fund kësaj boshllëku ligjor, duke krijuar detyrime të qarta për institucionet publike dhe operatorët privatë që ofrojnë shërbime digjitale. Ai parashikon gjithashtu ngritjen e një mekanizmi kombëtar monitorimi për mbrojtjen e fëmijëve në internet, në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Agjencinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, Komisionerin për të Drejtat e Fëmijës dhe organizatat e shoqërisë civile.

CRCA/ECPAT Shqipëri ka njoftuar se drafti do t’i paraqitet së shpejti Kuvendit të Shqipërisë, pas prezantimit dhe diskutimit të projektit me institucionet publike, shoqërinë civile dhe komunitetin e ekspertëve, që do të kontribuojnë në përmirësimin e mëtejshëm të tij.

Për më shumë informacion, kontaktoni:

CRCA Shqipëri

E-mail: crca@crca.al


Detajet e Lajmit
October 6, 2025
206
Kategoria