
Tiranë, 21 Korrik 2025 – Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri (iSIGURT.al) publikoi sot Raportin Kombëtar për Sigurinë në Internet për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri. Raporti bazohet në analizën e të dhënave dhe raporteve të bëra në iSIGURT.al përgjatë periudhës Janar–Dhjetor 2024, si dhe kuadrit ligjor dhe institucional që duhet të mbrojë fëmijët në hapësirën dixhitale.
Ky është raporti i gjashtë kombëtar që iSIGURT publikon që prej vitit 2015 dhe që shërben për të treguar rreziqet me të cilat përballen fëmijët dhe të rinjtë në hapësirën dixhitale. Përgatitja dhe publikimi i raportit u bë e mundur falë mbështetjes së nismës netSMARTkids Shqipëri të bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe CRCA-ECPAT Shqipëri, në partneritet me ALO 116 Shqipëri dhe iSIGURT.al
Raporti tregon se gjatë vitit 2024 janë raportuar gjithsej 407 incidente serioze, duke shënuar një rritje prej thuajse 67 përqind krahasuar me një vit më parë. Qarku i Tiranës mban pëshën kryesore të raportimeve me 48 përqind të rasteve, e ndjekur nga Durrësi, Kukësi etj. Vajzat dhe gratë vazhdojnë të mbeten viktimat por edhe raportueset kryesore të incidenteve online. Të dhënat tregojnë se 62% e raportimeve janë bërë nga vajzat, 34% nga djemtë, ndërsa në 4% të rasteve gjinia nuk është specifikuar. Viktimat në shumicën e rasteve janë fëmijët vajza.
Grupmosha që ndesh dhe raporton më shpesh incidente në hapësirën dixhitale është ajo 15–18 vjeç, me 43% të totalit të raportimeve, e ndjekur nga grupmosha 19-24 vjeç. Për herë të parë këtë vit, iSIGURT vërejti se ka një rritje të raportimeve të incidenteve serioze online nga fëmijë të moshës 6-10 vjeç, një grupmoshë që nuk kishte raportuar më parë, me 4 raste, shumica e viktimave përsëri vajza.
Incidentet më të shpeshta të raportuara kanë të bëjnë me kërcënimet, përndjekjen dhe shantazhin online, të cilat përbëjnë rrezikun kryesor për fëmijët dhe të rinjtë. Pas tyre renditen bullizmi kibernetik dhe gjuha e urrejtjes online. Raporti vëren se TikTok mbetet platforma më e raportuar për incidente, me 209 raste, e ndjekur nga Facebook dhe Instagram. Po në të njëjtën kohë Tiktok është platforma ku thuajse të gjitha faqet apo profilet e raportuara nga iSIGURT janë mbyllur apo bllokuar brenda një kohe rekord.
Raporti thekson nevojën për forcimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen kibernetike dhe për rritjen e ndërgjegjësimit te fëmijët, të rinjtë dhe prindërit mbi rreziqet në hapësirën dixhitale. Gjatjet dhe rekomandimet e plota të Raportit do të prezantohen në një takim të hapur që do të mbahet gjatë muajit Shtator në Tiranë.
Raporti i plotë është i disponueshëm për lexim online në Shqip dhe Anglisht në lidhjen:
https://isigurt.al/isigurt-al-publikon-raportin-kombetar-per-sigurine-ne-internet-per-femijet-dhe-te-rinjte-ne-shqiperi/
Për më shumë informacion, kontaktoni:
iSIGURT.al
Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri
E-mail: isigurt@crca.al