
Tiranë, 16 Korrik 2025 – CRCA-ECPAT Shqipëri njofton se ka dorëzuar zyrtarisht projektin e parë të ligjit “Për Kujdestarinë (Alternative) Familjare në Shqipëri ” – një iniciativë ligjore historike për mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror dhe të atyre që ndodhen në situata të dhunës në familje.
Projekt-ligji është hartuar nga ekspertët ligjorë dhe të mbrojtjes së fëmijëve pranë CRCA Shqipëri, dhe i është dorëzuar Grupit të Punës të ngritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Drafti që dorëzuam sot është një hap përpara për mbrojtjen dhe mbështetjen e çdo fëmije në nevojë. Ekipi ynë ka studiuar çështjen e kujdestarisë alternative që nga viti 2019 dhe jam shumë i lumtur që ky draft i parë do të kontribuojë fuqishëm në projektligjin përfundimtar që pritet të prezantohet në Kuvendin e ri në shtator.” – tha Altin Hazizaj, Drejtor Ekzekutiv i CRCA-ECPAT Shqipëri.
Projekt-ligji synon krijimin e një sistemi të integruar, të mbrojtur dhe të mbikëqyrur të kujdestarisë familjare, për fëmijët që janë pa përkujdesje prindërore, si dhe të fëmijëve që vijnë nga familje me probleme të theksuara sociale, duke garantuar që ata të rriten në një mjedis të sigurt, të dashur dhe mbështetës.
Projekt-ligji parashikon ndër të tjera:
- Llojet e kujdestarisë (emergjente, afatshkurtër, afatgjatë, nga të afërmit dhe atë të specializuar);
- Kriteret dhe procedurat për çertifikimin e familjeve kujdestare;
- Krijimin e një Regjistri Kombëtar të Familjeve Kujdestare për të bërë të mundur identifikimin, monitorimin dhe të dhëna të tjera të rëndësishme;
- Monitorimin dhe mbështetjen financiare për kujdestarët;
- Të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve gjatë dhe pas kujdestarisë;
- Roli i gjykatës, njësive vendore dhe institucioneve të tjera shtetërore në vendosjen e fëmijëvë nën kujdesin e familjeve kujdestare.
Ky ligj synon të jetë një gur themeli për reformën e kujdesit alternativ në Shqipëri dhe një hap vendimtar drejt zhvillimit të një sistemi që respekton dinjitetin, të drejtat dhe të ardhmen e çdo fëmije.
Për më shumë informacion mbi iniciativën, ju lutemi na kontaktoni në: crca@crca.al