Tiranë, 4 Korrik 2025 – CRCA-ECPAT Shqipëri nis zbatimin e projektit më të ri Fuqizimi i Grave në Sektorin e Ndërtimit (WEC)”, një projekt transformues që synon fuqizimin profesional të grave në sektorin e ndërtimit në Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Europian, përmes programeve inovative të arsimit dhe formimit profesional. Projekti drejtohet nga Future Cast në Irlandë dhe zbatohet në partneritet me disa nga organizatat kryesore nga Ballkani Perëndimor dhe BE. Projekti bashkë-financohet nga Bashkimi Europian në kuadër të programit ERASMUS+.

Hendeku gjinor në sektorin e ndërtimit në Shqipëri pasqyron tendencat europiane, por duke qenë edhe më i theksuar. Të dhënat kombëtare konfirmojnë se gratë dhe vajzat janë shumë pak të punësuara dhe të preferuara në sektorin e ndërtimit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë dekadës së fundit, më pak se 5% e fuqisë punëtore në ndërtim ka qenë gra dhe vajza, ku shumica e të punësuarave janë në role mbështetëse (p.sh. administratë, kontabilitet) dhe jo në punë në terren. Për më tepër ndjekja e e arsimit profesional që çon drejt punësimit në ndërtim mbetet e dominuar nga meshkujt. Në vitin 2021, më pak se 600 vajza u regjistruan në shkolla profesionale të lidhura me ndërtimin, krahasuar me mbi 4,000 bashkëmoshatarë djem.

WEC synon që të rrisë përfshirjen e vajzave dhe grave në një sektor tradicionalisht të dominuar nga burrat, duke promovuar barazinë gjinore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tregut të punës në rajon. Nëpërmjet trajnimeve cilësore, praktikave profesionale dhe ndërmjetësimit për punësim, projekti do t’i pajisë vajzat dhe gratë me aftësi konkrete në ndërtim, teknologji dhe menaxhim, duke hapur rrugën për përfshirje të barabartë dhe karriera të qëndrueshme në këtë industri.

Elementet kyç të projektit janë:

-Zhvillimi i studimeve, në çdo vend pjesëmarrës, rreth mungesës së fuqisë punëtore dhe çekuilibrit gjinor në industrinë e ndërtimit;

– Zhvillimi i platformën edukative WEC në internet;

– Përgatitja e 4 moduleve kurrikulare për arsimimin profesional, të përshtatura për nevojat e vajzave dhe grave në industrinë e ndërtimit, përfshirë edhe zhvillimin e 4 kurseve online;

– Organizimi i një trajnimi në nivel ndërkombëtar për përfaqësuesit e organizatave partnere;

– Zhvillimi i sesioneve informuese dhe seminareve praktike për mësuesit dhe instruktorët e shkollave dhe qendrave të arsimit profesional.

– Përgatitja e udhëzuesve me video të animuar për mësuesit dhe instruktorët e shkollave dhe qendrave të arsimit profesional.



CRCA/ECPAT Shqipëri do të kontribuojë në këtë projekt duke sjellë ekspertizën e saj në çështjet e barazisë gjinore, përgatitjes së kurrikulës, mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të vajzave dhe grave për fuqizimin ekonomik dhe social të tyre.

Nëse doni të bëheni pjesë e kësaj nisme apo të mësoni më shumë rreth saj, kontaktoni:

CRCA-ECPAT Shqipëri

crca@crca.al


Detajet e Lajmit
July 7, 2025
392
Kategoria