Tiranë, 19 shtator 2025 – Platforma Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri – iSIGURT.al ka mbyllur me sukses një nga grupet më të mëdha abuzuese online në platformën sociale Discord. Grupi kishte mbi 32 mijë anëtarë nga Shqipëria dhe Kosova dhe shpërndante materiale me përmbajtje dhune seksuale ndaj vajzave dhe grave, si edhe të dhëna të tjera sensitive për to.

Ky grup, i konsideruar ndër më problematikët në rajon dhe që zhvendosej vazhdimisht në platforma të ndryshme sociale, u identifikua nga ekipi i iSIGURT.al pas raportimeve të viktimave dhe monitorimit të pandërprerë nga analistët tanë. Falë bashkëpunimit me Discord dhe autoritetet ligjzbatuese, u bë e mundur mbyllja e plotë e tij dhe parandalimi i shpërndarjes së mëtejshme të materialeve abuzive. Sot, qindra vajza dhe gra nga Shqipëria dhe Kosova janë më të mbrojtura, me garancinë se imazhet e tyre nuk do të shpërndahen më në rrjete sociale.

Për iSIGURT.al, ky është një hap i madh përpara në parandalimin e abuzimeve online, duke treguar se bashkëpunimi ndërinstitucional mbetet çelësi për të mbrojtur fëmijët, të rinjtë, vajzat dhe gratë nga rreziqet në mjedisin dixhital.

Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri – iSIGURT.al vijon misionin e saj për të garantuar një internet të mbrojtur dhe gjithëpërfshirës, ku kushdo të ndihet i sigurt nga çdo formë dhune apo abuzimi online – në veçanti fëmijët, të rinjtë dhe grupet më vulnerabël. Përmes monitorimit të vazhdueshëm, ndërgjegjësimit publik dhe bashkëpunimit kombëtar e ndërkombëtar, iSIGURT.al mbetet në vijën e parë të mbrojtjes së viktimave dhe inkurajon këdo të raportojë çdo rast të dyshimtë në www.isigurt.al


Detajet e Lajmit
September 21, 2025
23
Kategoria