Tiranë, 23 Qershor 2025 – Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt (iSIGURT) dhe ALO 116-111, si pjesë e programit netSMARTkids dhe angazhimit të saj për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga rreziqet digjitale, morri pjesë në Trajnimin Ndërkombëtar “Konsultim mbi Dëmet Online ndaj Fëemijëe”, organizuar nga Child Helpline International (CHI) dhe UNICEF në Livingstone, Zambia.

Në këtë trajnim, ku morrën pjesë mbi 30 profesionistë të linjave të ndihmës për fëmijët dhe partnerë ndërkombëtarë nga e gjithë bota, iSIGURT dhe ALO 116-111 u ftuan të prezantojnë Modelin e Ambasadorëve të Internetit të Sigurt – një praktikë inovative që fuqizon pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve për të qenë aktorë aktivë në edukimin dhe parandalimin e rreziqeve në internet.

Ambasadorët e Internetit të Sigurt luajnë një rol kyç ndërmjet bashkë-moshatarëve duke i informuar mbi: përdorimin e sigurt të teknologjisë, parandalimin e bullizmit dhe ngacmimeve online, ekspozimin ndaj përmbajtjes së dëmshme, dhe ndikimet e internetit në shëndetin mendor.

Modeli shqiptar u vlerësua si veçanërisht frymëzues, duke u renditur përkrah përvojave të suksesshme nga vende si Nepali dhe Tanzania.

Gjatë ditës së dytë dhe të tretë, u zhvillua takimi global i anëtarëve të Child Helpline International, ku ALO 116 është anëtare që prej krijimit të saj. Diskutimet u fokusuan në rolin e linjave të ndihmës në situata emergjente, trajtimin e rasteve të abuzimit seksual të lehtësuar nga teknologjia dhe ndarjen e praktikave më të mira për mbrojtjen e fëmijëve në mjedisin online.

Takimi u përmbyll me dakordësinë për zbatimin e “Deklaratës së Livingstone”, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar për ndërtimin e një interneti më të sigurt për fëmijët kudo në botë.

Trajnimi synon të shërbejë si bazë për zhvillimin e një manuali ndërkombëtar Trajnimi për Trajnerë (ToT), i cili do t’i ndihmojë profesionistët e linjave të ndihmës të adresojnë katër format kryesore të dëmeve online ndaj fëmijëve.

ALO 116-111, në bashkëpunim me iSIGURT.al, është krenare të jetë një nga kontribuesit kryesorë në hartimin e këtij manuali, duke sjellë eksperiencën shqiptare në një nivel ndërkombëtar dhe duke forcuar më tej mbrojtjen online të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri.



Për më shumë info, kontaktoni:

E-mail: alo116@alo116.al ose isigurt@crca.al


Detajet e Lajmit
June 23, 2025
151
Kategoria