Tiranë, 21 Janar 2025 – CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Platforma Kombëtare për Sigurinë në Internet – iSIGURT.al organizuan sot takimin e parë të Komitetit Drejtues për Ditën e Internetit të Sigurt 2025. Ky takim shënon fillimin e përgatitjeve për fushatën ndërgjegjësuese kombëtare, që do të kulmojë më 11 shkurt, në Ditën Ndërkombëtare të Internetit të Sigurt.

Takimi synoi koordinimin e përpjekjeve ndërinstitucionale për të garantuar një mjedis online më të sigurt për të gjithë – veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë – dhe për të planifikuar aktivitetet që do të organizohen në kuadër të kësaj dite.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga: Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Shërbimi Social Shtetëror, Drejtoria e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, ALO 116 – Linja Kombëtare për Ndihmën ndaj Fëmijëve, Save the Children Shqipëri, si dhe organizata të tjera që luajnë rol kyç në mbrojtjen e fëmijëve dhe sigurinë online.

Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte organizimi i Forumit Kombëtar për Internetin e Sigurt, që do të mbahet më 11 shkurt, dhe që këtë vit shënon 10-vjetorin e forumit të organizuar nga iSIGURT.al. Në forum pritet të marrin pjesë Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe partnerë të tjerë institucionalë e ndërkombëtarë.

Gjithashtu, Komiteti diskutoi edhe planifikimin e Forumit të Dytë Kombëtar, që do të fokusohet në sigurinë online të fëmijëve me aftësi të kufizuara, me pjesëmarrjen aktive të Qendrës për Mbrojtjen e Personave me Aftësi të Kufizuara.

“Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përfshirja e gjithë aktorëve është thelbësore për të garantuar një internet më të sigurt për fëmijët. Kjo fushatë është një thirrje për veprim të përbashkët, jo vetëm në një ditë simbolike, por gjatë gjithë vitit,” – u shprehën organizatorët e iSIGURT.al



Fushata për Ditën e Internetit të Sigurt 2025 synon të rrisë ndërgjegjësimin, të forcojë politikat e sigurisë kibernetike dhe të edukojë prindërit, fëmijët dhe profesionistët për një përdorim të sigurt, të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës të teknologjisë.

Për më shumë informacion, kontaktoni:


📧 Email: crca@crca.al


Detajet e Lajmit
January 21, 2025
97
Kategoria