
Tiranë, 30 Korrik 2025 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, CRCA – ECPAT Shqipëri dhe ALO 116 – Linja Kombëtare për Fëmijë, shprehin shqetësimin e tyre të thellë për përmasat dhe natyrën në rritje të trafikimit të fëmijëve në Shqipëri. Kjo ditë na kujton përkushtimin global për të luftuar një nga format më të rënda të shkeljes së të drejtave të njeriut – trafikimin e qenieve njerëzore – ku për ne, prioritet mbetet mbrojtja e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi.
Trafikimi i fëmijëve në Shqipëri mbetet një nga format më të rënda dhe më të padukshme të shfrytëzimit, që prek kryesisht vajza të mitura, por edhe djem dhe fëmijë me aftësi të kufizuara, të cilët shfrytëzohen për qëllime seksuale, pune të detyruar, lypje apo martesa të detyruara. Por ky fenomen nuk lind rastësisht. Ai është produkt i varfërisë ekstreme, dhunës së përsëritur në familje, mungesës së arsimimit, braktisjes institucionale dhe indiferencës së shoqërisë. Në thelb, trafikimi është pasojë e dështimit për të mbrojtur fëmijët në mënyrë të hershme dhe të qëndrueshme. Pa një ndërhyrje të organizuar dhe serioze që adreson këto shkaqe në rrënjë, çdo ligj apo strategji do të mbetet në letër, pa efekt real mbi jetët e fëmijëve.
Në këtë realitet shqetësues, të dhënat flasin për një përhapje në rritje të fëmijëve në situatë rruge që shfrytëzohen jo vetëm për përfitim ekonomik. Nga viti 2022 deri në Qershor 2025, pranë ALO 116 janë raportuar 755 incidente, që përfshijnë 1,439 fëmijë të shfrytëzuar. Numrat rriten çdo vit, ndërsa mungesa e një reagimi serioz institucional është e dukshme: Qeveria nuk ka ndërmarrë masa drastike për të ndaluar lypësinë dhe shfrytëzimin e fëmijëve në rrugë, ndërsa për çështje të tjera, si lirimi i hapësirave publike, reagimi ka qenë i shpejtë dhe brenda 24 orësh.
Një tjetër tregues alarmi është edhe raporti i fundit TIP i Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas të cilit 74 fëmijë janë identifikuar si viktima apo viktima potenciale të trafikimit gjatë periudhës prill 2022 – mars 2023, ndërkohë që për periudhën pasuese raporti evidenton një rritje të përgjithshme të rasteve në 165.
Në të njëjtën kohë, po rritet numri i fëmijëve të humbur ose të larguar nga banesa, shpesh për shkak të dhunës, varfërisë apo braktisjes: nga viti 2020 deri në fund të 2024 janë raportuar 576 raste të tilla, kryesisht të rinj 14-18 vjeç, për të cilët largimi nga shtëpia është shpesh hapi i parë drejt trafikimit për qëllime seksuale apo formave të tjera të shfrytëzimit.
Shqipëria vazhdon të mos ketë një mekanizëm funksional për mbrojtjen e fëmijëve të huaj të pashoqëruar, të cilët shpesh kalojnë tranzit përmes vendit ose ndalohen në kushte të pasigurta. Ky është një boshllëk kritik, veçanërisht në kontekstin e standardeve që kërkon Bashkimi Evropian për shtetet kandidate. Në këtë sfond, sistemi i mbrojtjes së fëmijëve në vend ende përballet me sfida të shumta: mungesë të identifikimit të hershëm, mungesë koordinimi ndërinstitucional, mungesë burimesh njerëzore dhe financiare, dhe një sistem gjyqësor që rrallëherë jep drejtësi për viktimat e mitura.
Të gjitha këto ndodhin në një moment historik kur Shqipëria po ndërmerr një sërë hapash në rrugën anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por a mund të ketë integrim të vërtetë në BE pa adresimin e trafikimit të fëmijëve, pa garantimin e të drejtave themelore të tyre dhe pa ndëshkimin e atyre që i shfrytëzojnë.
Në këtë ditë, i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore, veçanërisht Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që të:
– Rrisin kapacitetet për identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të mitura të trafikimit.
– Investojnë në parandalim, përmes edukimit dhe ndërgjegjësimit të fëmijëve, familjeve dhe komuniteteve në rrezik.
– Forcojnë ndëshkueshmërinë, përmes hetimeve proaktive dhe ndjekjes penale efektive të trafikantëve.
– Krijojnë dhe financojnë shërbime të specializuara për fëmijët viktima të trafikimit, përfshirë mbrojtje, rehabilitim dhe ri-integrim në shoqëri.
– Monitorojnë dhe luftojnë trafikimin online, përmes bashkëpunimit me platformat dixhitale dhe shërbimeve të teknologjisë.
– Zbatojnë masa të menjëhershme për ndalimin e lypjes dhe shfrytëzimit të fëmijëve në rrugë.
– Sigurojnë mbrojtje për fëmijët e huaj të pashoqëruar, në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve.
* * *