
Tiranë, 8 Gusht 2025 — CRCA-ECPAT Shqipëri me anë të kësaj deklarate publike kërkon të shpreh shqetësim e saj serioz lidhur me Draftin e Kodit të ri Penal të bërë publik në fillim të muajit Gusht. Nga analiza e plotë që ekspertët e CRCA Shqipëri i kanë bërë Kodit Penal, rezulton se dispozitat aktuale nuk përputhen në mënyrë të mjaftueshme me standardet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e fëmijëve nga krimi, sidomos të krimeve për qëllime seksuale. CRCA Shqipëri ka identifikuar disa mangësi kritike, të cilat po i paraqesim shkurtimisht më poshtë:
- Mungesa e kriminalizimit të joshjes seksuale dhe mesazheve me natyrë apo për qëllime seksuale online. Drafti i paraqitur i Kodit nuk adreson disa nga kërcënimet kryesore në hapësirën dixhitale ndaj fëmijëve siç janë joshja ose kërkesat për angazhim në marrëdhënie seksuale nëpërmjet internetit apo chat/mesazhet me natyrë seksuale — veprime që kriminalizohen qartësisht sipas Direktivës së BE-së 2011/93 (e cila është duke u rishikuar aktualisht dhe do të forcohet edhe më tej me krime të tjera që ndodhin në hapësirën dixhitale).
- Mangësi në rregullimin dhe kriminalizimin e të gjitha llojeve të materialeve me përmbajtje të dhunës dhe abuzimit seksual me/të fëmijës (CSAM): Drafti nuk përfshin kriminalizimin e CSAM-it virtual, të krijuar nga inteligjenca artificiale, ose të vetë-prodhuar nga vetë fëmija, duke krijuar boshllëqe të rrezikshme ligjore.
- Kodi i ri Penal nuk përmban masa të mjaftueshme kundër Trafikimit të Brendshëm dhe atij Dixhital të Fëmijëve: Ndërsa drafti i propozuar adreson trafikimin e fëmijëve në terma të përgjithshëm, mungojnë dispozitat që synojnë dënimin e trafikimit të brendshëm dhe atij të lehtësuar nga teknologjia, siç kërkohet në Direktivën 2011/36/EU.
- Mungesa e Mbrojtjes Kundër Dhunës Psikologjike dhe Neglizhencës së Fëmijës: Kodi Penal nuk kriminalizon dhunën psikologjike dhe neglizhencën sistemike të fëmijës, duke e renditur Shqipërinë nën standardet e BE-së të përcaktuara nga Konventa e Lanzarote-s dhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës.
- Mungesa e Garancive për Drejtësi të Përshtatshme për Fëmijët: Drafti actual nuk përmban garanci procedurale për viktimat fëmijë, si privatësia, dëshmia me video apo përdorimin e teknologjive të avancuara për të eleminuar intervistimin traumatik të fëmijës, ashtu siç kërkohet nga Direktiva 2012/29/EU e BE-së. Drafti i Kodit të Ri penal nuk është prezantuar me ndryshimet e kërkuara në ligjin procedural (Kodi i Procedurës Penale dhe Kodi i Drejtësisë për të Mitur).
- Mungesa e kriminalizimit për mos-Raportimin e Detyrueshëm nga profesionistët: Profesionistët në sektorin e shëndetësisë, arsimit, policisë dhe shërbimeve sociale, sipas Ligjit për të Drejtat e Fëmijës, janë të detyruar ligjërisht të raportojnë çdo formë të dhunës apo abuzimit të fëmijës, të dyshuar apo të vërtetuar. Mos-raportimi i detyrueshëm nëse nuk përfshihet në Kodin Penal si një vepër penale, rrezikon të dëmtojë thellë kuptimin e mbrojtjes së fëmijës, kur profesionistët nuk kryejnë detyrën e tyre për raportim të detyrueshëm, gjë që mund të shpjerë në fshehjen e krimeve apo kryerjen e krimeve edhe më të rënda ndaj fëmijëve.
- Kodi Penal vazhdon të ketë probleme me terminologjinë në lidhje me fëmijët. Ndonëse Kushtetuta, Konventa për të Drejtat e Fëmijës e OKB-së dhe Ligji për të Drejtat e Fëmijës përcaktojnë se person kosniderohet çdo person nën moshën 18 vjeç, Kodi vijon të përdor termin “i mitur”, i cili nuk ka një përkufizim të qartë ligjor në korpusin e ligjeve në Shqipëri. Ndonëse CRCA Shqipëri prej vitesh ka rekomanduar përdorimin vetëm të termit fëmijë në legjislacionin tonë të brendshëm, përsëri kjo mangësi është mbajtur në Kodin e ri penal.
Nisur nga këto mangësi serioze të evidentuara në Kodin e ri Penal, CRCA Shqipëri bën thirrje për veprime të menjëhershme nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit të ri, që do të formësohen në fillim të muajit shtator, për një dialog të hapur dhe efektiv me organizatat e shoqërisë civile, ekspertët e të drejtave të fëmijës, si dhe punonjësve të drejtësisë (avokatë, prokurorë dhe gjykatës).
Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE kërkon harmonizimin e ligjeve kombëtare me acquis të BE-së, veçanërisht përsa i përket mbrojtjes së fëmijëve. Drafti i paraqitur i Kodit Penal, megjithëse i përmirësuar në disa fusha, nuk ofron mbrojtjen gjithëpërfshirëse të nevojshme për të parandaluar, zbuluar dhe ndëshkuar krimet ndaj fëmijëve. Kodi i ri Penal duhet të rishikohet menjëherë që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ato të BE-së. Mbrojtja e fëmijëve nuk është opsionale—është një detyrim ligjor, moral dhe shoqëror.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
CRCA-ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al
Kjo deklaratë bazohet në dokumentin: Analizë Ligjore Krahasuese e draft-Kodit Penal të Shqipërisë (Gusht 2025) me Acquis të BE-së, përgatitur nga ekipi i juristëve dhe avokatëve të CRCA Shqipëri.