
Tiranë, 20 Qershor 2025 – CRCA/ECPAT Shqipëri ka nisur një seri takimesh informuese me Qendrat e Formimit Profesional Publik në disa qytete të vendit, në kuadër të projektit rajonal “Përgjigje Dixhitale ndaj Problemeve të Papunësisë në Ballkanin Perëndimor” (DRUPWB), me qëllim prezantimin dhe promovimin e një kurrikule të re për formimin profesional dhe punësimin e të rinjve përmes teknologjisë.
Gjatë ditëve të fundit, ekipi i CRCA/ECPAT Shqipëri është mirëpritur në Qendrën e Formimit Profesional Nr. 1 në Tiranë, si dhe në qendrat e Durrësit dhe Elbasanit, ku ka prezantuar këtë kurrikulë të re, e cila është pritur me interes të lartë nga instruktorët dhe drejtuesit e qendrave. Kurrikula u vlerësua si një instrument praktik dhe i domosdoshëm për përgatitjen e të rinjve në një treg pune gjithnjë e më të ndikuar nga transformimet teknologjike.
E ndërtuar në katër module thelbësore, kurrikula synon të fuqizojë të rinjtë, veçanërisht ata që janë të papunë ose pjesë e grupit NEET, duke i pajisur me: njohuri mbi teknologjitë e reja, aftësi praktike për menaxhimin e klientëve, financave dhe pagave, si dhe kompetenca për të ndërtuar dhe menaxhuar biznese të reja në fushën digjitale.
Kjo kurrikulë është konceptuar për t’u integruar si në sistemin e arsimit formal, ashtu edhe në trajnimet joformale, me synimin për të modernizuar dhe përmirësuar ofertën e formimit profesional në përputhje me zhvillimet e tregut të punës.
Aktualisht, programi është duke u zhvilluar në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në muajt në vijim, kurrikula do të dixhitalizohet dhe do të jetë lehtësisht e aksesueshme online për çdo të ri apo profesionist që kërkon të përgatitet për punë në sektorin e teknologjisë ose të nisë një rrugëtim në sipërmarrje.
Me këtë nismë, CRCA/ECPAT Shqipëri forcon më tej angazhimin e saj për të qenë pranë të rinjve, duke ofruar mundësi reale për zhvillim profesional dhe përgatitje për një treg pune gjithnjë e më shumë të bazuar në teknologji dhe inovacion.