Tiranë, 2 Maj 2025 – Gjatë Forumit Publik të organizuar nga CRCA/ECPAT Shqipëri, me pjesëmarrjen e kandidatëve për deputetë nga partitë kryesore politike, u prezantua për herë të parë Manifesti i Fëmijëve dhe të Rinjve në Shqipëri.

Dokumenti është rezultat i një procesi të gjerë konsultimi me qindra fëmijë dhe të rinj nga e gjithë Shqipëria dhe është hartuar në bashkëpunim me ALO 116 – Linjën Kombëtare të Ndihmës për Fëmijë, si dhe Rrjetin Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri (ANYN). Qëllimi i tij është të promovojë dhe mbrojë të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve, duke i vendosur ato në qendër të politikave publike dhe programeve qeverisëse.

Manifesti pasqyron zërin dhe shqetësimet e brezit të ri, me një fokus të veçantë tek siguria dixhitale, duke ofruar një udhëzues të qartë për mënyrën se si partitë politike mund të ndërmarrin masa konkrete për përmirësimin e jetës së fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri.

Dokumenti përfshin 12 prioritete kryesore, që adresojnë nevoja të rëndësishme si: sigurimi dixhital, arsimi dhe shëndetësia falas, mbrojtja nga dhuna dhe abuzimi, shëndeti mendor, pjesëmarrja në vendimmarrje, si dhe mundësitë për punësim dhe zhvillim profesional për të rinjtë.

Ky manifest është një angazhim qytetar për një Shqipëri që respekton, mbështet dhe fuqizon fëmijët dhe të rinjtë. Ai u ofron organizatave një bazë për fushata avokuese dhe u shërben partive politike si referencë për të integruar nevojat e brezit të ri në programet e tyre.

Gjithashtu, Manifesti përmban udhëzime për institucionet publike që të hartojnë politika, plane dhe strategji që mbrojnë interesat e fëmijëve dhe të rinjve. Ai ka potencialin të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mundësive të tyre, duke u shndërruar në një udhërrëfyes për politikat publike dhe shërbimet e ardhshme.

Ky është një apel i hapur ndaj partive politike dhe institucioneve publike për ta përfshirë Manifestin në programet zgjedhore dhe politikat qeverisëse. Ne u bëjmë thirrje të gjitha forcave politike ta lexojnë, ta reflektojnë dhe ta zbatojnë këtë dokument si pjesë të angazhimit të tyre për një Shqipëri më të drejtë, më të sigurt dhe më të ndershme për fëmijët dhe të rinjtë.


Detajet e Lajmit
May 2, 2025
22
Kategoria