Tiranë, 5 Nëntor 2025 – Pas më shumë se një dekade avokatësie nga CRCA-ECPAT Shqipëri, autoritetet në vend njoftuan se është vendosur në funksion të plotë në platformën eAlbania Regjistri Kombëtar i të Dënuarve për Krime Seksuale, sipas parashikimeve të Ligjit 62/2022 “Për regjistrin kombëtar të të dënuarve për krime seksuale”. Nga sot, çdo person, institucion, organizatë, apo biznes, mund të kontrollojë të dhënat e veta apo për çdo person tjetër, nëse janë të regjistruar në regjistër.

“Ky është një zhvillim i rëndësishëm, por sërisht i vonuar për tre vjet në zbatim, që nga miratimi i ligjit në 2022. E kemi ndjekur hap pas hapi krijimin e Regjistrit, që aksesi të ishte sa më i shpejtë dhe jo kaq i vonuar për qytetarët. Sot Regjistri më së fundi është funksional. Duhet të them se kjo është një përpjekjet për të garantuar sigurinë e fëmijëve, grave dhe qytetarëve nga dhuna seksuale, duke i dhënë institucioneve dhe të gjithë qytetarëve një instrument të fuqishëm përparandalimin e krimeve seksuale dhe mbi të gjitha për mbrojtjen e viktimave.” – tha Deputetja Erisa Xhixho, propozuesja e nismës ligjore në Kuvendin e Shqipërisë.

CRCA-ECPAT Shqipëri ka avokuar që prej vitit 2013 për miratimin e një Regjistri Kombëtar të Krimeve Seksuale. Në vitin 2019 CRCA prezantoi publikisht draftin e parë të projekt-ligjit për konsultim publik me institucionet publike, shoqërinë civile dhe ekspertët e fushës. Në vitin 2021 projekt-ligji u dorëzua për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë nga deputetja Erisa Xhixho, nën-Kryetare e Grupit të Deputetëve Miqtë e Fëmijëve. Një vit më vonë, Kuvendi i Shqipërisë e miratoi projekt-ligjin me votat e thuajse të gjithë deputetëve.

Sipas ligjit, regjistri tashmë përmban të dhëna për të gjithë personat e dënuar me vendim të formës së prerë për vepra seksuale ndaj fëmijëve dhe të rriturve që prej vitit 1992, duke mundësuar verifikimin nga institucionet publike, shkollat, kopshtet, organizatat fetare, ato sportive, institucionet e kujdesit social dhe punëdhënësit publike apo privatë, për të shmangur që personat e dënuar për krime seksuale të kenë qasje në mjedise me fëmijë apo persona të tjerë vulnerabël.

“Sot Shqipëria ka bërë një hap të madh drejt drejtësisë dhe mbrojtjes së fëmijëve nga krimet seksuale. Regjistri është rezultat i mbi dymbëdhjetë viteve punë, kërkesave dhe peticioneve, që CRCA Shqipëri ka bërë vazhdimisht për të parandaluar dhunën seksuale ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Tani është koha që të gjitha institucionet, organizatat, klubet sportive, kishat dhe xhamitë, bizneset, por mbi të gjitha familjet tona, ta përdorin me përgjegjësi këtë regjistër për të parandaluar krimin dhe për të garantuar që asnjë fëmijë të mos përballet më me dhunë, abuzim apo shfrytëzim seksual.” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA-ECPAT Shqipëri.

Miratimi i ligjit dhe ngritja e Regjistrit është një nga reformat më të rëndësishme në mbrojtjen e fëmijëve dhe personave vulnerabël nga krimet seksuale. Gjatë viteve të fundit, rastet e dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe tyë rinjve kanë shënuar rritje të ndjeshme në Shqipëri, duke bërë urgjente krijimin e këtij mekanizmi. Regjistri Kombëtar është një mjet thelbësor që sjell Shqipërinë më afër standardeve evropiane të mbrojtjes së fëmijëve dhe respektimit të të drejtave të njeriut.


Detajet e Lajmit
November 5, 2025
300
Kategoria