Tiranë, 22 shtator 2025 – Këtë tetor, kryeqyteti i Shqipërisë do të jetë qendra e një prej ngjarjeve më të rëndësishme për organizatat që avokojnë për të drejtën e arsimit në nivel global. Më 14–15 tetor 2025, Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE), i lehtësuar nga CRCA/ECPAT Shqipëri, do të mirëpresë Takimin Vjetor të Rrjetit për Arsimin në Evropë dhe Amerikën e Veriut (ENACE).

Kjo është hera e parë që ENACE zhvillon takimin e tij vjetor në një vend të Europës Lindore, pas edicionit të vitit të kaluar që u mbajt në Dublin, Irlandë. Takimi dyditor do të mbledhë së bashku të gjitha organizatat dhe rrjetet anëtare të ENACE nga Europa dhe Amerika e Veriut, si me praninë fizike ashtu edhe online, për të ndarë përvoja, forcuar bashkëpunimin dhe për të rënë dakord mbi një plan pune të përbashkët për vitin e ardhshëm.

“Ne jemi veçanërisht të gëzuar që ACE mirëpret këtë takim në Tiranë, duke ofruar një hapësirë të rëndësishme për avancimin e misionit tonë të përbashkët: arsim gjithëpërfshirës, cilësor dhe të barabartë për të gjithë. Përmes shkëmbimit të praktikave, diskutimeve dhe bashkëpunimit, ne besojmë se takimi do të forcojë identitetin e përbashkët të ENACE, me fokus të veçantë tek avokatia, ndërtimi i kapaciteteve dhe solidariteti.” – tha Altin Hazizaj, ACE/CRCA Shqipëri.

Rrjeti për Arsimin në Europë dhe Amerikën e Veriut (ENACE) përbëhet nga 15 koalicione dhe rrjete të shoqërisë civile që avokojnë për të drejtën e arsimit në të dy kontinentet, dhe është pjesë e Rrjetit Global për Arsimin (GCE). ENACE ka si synim forcimin e zërit kolektiv të shoqërisë civile për të mbrojtur dhe avancuar të drejtën për arsim gjithëpërfshirës, cilësor dhe të barabartë për të gjithë. Përmes bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe ndërtimit të kapaciteteve, rrjeti angazhohet në avokim rajonal e global, duke promovuar solidaritetin mes anëtarëve dhe duke ndikuar në politikat publike për arsim.


Detajet e Lajmit
September 21, 2025
156
Kategoria