
Raporti i Komisionit Europian për Sundimin e Ligjit 2025 për Shqipërinë ngre shqetësime serioze mbi aftësinë institucionale të vendit për të mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve. Pavarësisht reformave në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit, raporti sugjeron se grupet më të pambrojtura – veçanërisht fëmijët – po mbeten pas në këtë proces transformimi.
Një nga problemet më alarmante të ngritura në raport është vonesa e vazhdueshme në emërimin e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Të dyja mandatet kanë përfunduar përkatësisht në vitet 2022 dhe 2023, dhe mungesa e zëvendësimit të tyre nga Parlamenti ka lënë një boshllëk të madh institucional në mbikëqyrjen e të drejtave themelore. Vetëm gjatë vitit 2024, Zyra e Avokatit të Popullit ka regjistruar mbi 200 ankesa për shkelje të të drejtave të fëmijëve – një nga çështjet më të raportuara krahas çështjeve të pronësisë dhe atyre gjyqësore.
“Erozioni i besimit ndaj institucioneve demokratike fillon kur fëmijëve ju mohohen mbrojtja bazë, ndihma ligjore dhe mundësitë e barabarta. Nuk mund të ndërtojmë një shtet të së drejtës që përjashton ata që kanë nevojë për më shumë mbrojtje .” u shpreh Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA-ECPAT Shqipëri.
Raporti vë në dukje edhe vështirësitë që qytetarët kanë në aksesin në ndihmën juridike falas. Ndërsa numri i çështjeve për ndihmë juridike dytësore u rrit pak, numri i atyre për ndihmë juridike parësore – shpesh ndihma më e përdorur nga familjet dhe fëmijët në nevojë – ka rënë ndjeshëm. Organizatat e shoqërisë civile e përshkruajnë sistemin si të nënfinancuar dhe me koordinim të dobët, duke ngritur alarmin për fëmijët që përballen me abuzime apo procedura ligjore të padrejta.
Për më tepër, sektori i arsimit është përmendur në raport si një ndër fushat me rrezik të lartë për korrupsion. Edhe pse Qeveria ka përfshirë edukimin për integritetin e të rinjve në Strategjinë Kundër Korrupsionit 2024–2030, zbatimi i saj mbetet i paqartë. Në praktikë, korrupsioni sistemik dhe mungesa e transparencës në arsimin publik vazhdojnë të dëmtojnë cilësinë e shërbimeve për fëmijët dhe të rinjtë.
Ndërkohë, organizatat e shoqërisë civile që punojnë për fëmijët dhe të rinjtë përballen me sfida serioze. Strategjia kombëtare për shoqërinë civile ka skaduar që në vitin 2023 dhe ende nuk është zëvendësuar. Pengesat ligjore për regjistrimin, mungesa e financimeve publike dhe hapësira gjithnjë e në tkurrje për shoqërinë civile, po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë angazhimin e organizatave të fokusuar tek fëmijët dhe të rinjtë. Në fillim të vitit 2025, disa organizata raportuan se ishin objekt i fushatave të shpifjeve dhe sulmeve politike.
Pavarësisht disa hapave pozitivë – raporti thekson se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të garantuar të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve. Me procesin e anëtarësimit në BE ende në vijim, këto gjetje përbëjnë një kujtesë të fortë se reformat në letër duhet të përkthehen në mbrojtje konkrete për ata që janë më në rrezik.