Tiranë, 1 Korrik 2025 – Shqipëria ka filluar zyrtarisht procesin e hartimit të Planit Kombëtar të Veprimit për Garancinë Europiane për Fëmijët, një iniciativë e Komisionit Europian që synon të garantojë akses të barabartë në shërbime themelore për fëmijët që jetojnë në rrezik varfërie dhe përjashtimi social.

Garancia Europiane për Fëmijët synon që çdo fëmijë në Evropë, përfshirë edhe në Shqipëri, të përfitojë nga:

  • Kujdes dhe edukim falas në fëmijërinë e hershme
  • Arsim falas dhe aktivitete jashtëshkollore
  • Një vakt të shëndetshëm çdo ditë në institucionet arsimore
  • Shërbime shëndetësore falas
  • Ushqim të shëndetshëm dhe strehim të sigurt

Plani Kombëtar i Veprimit do të hartohet në përputhje me parimet dhe standardet e Bashkimit Europian, por duke reflektuar realitetin social dhe ekonomik të vendit tonë. Qëllimi i tij është të forcojë mbrojtjen e fëmijëve dhe të promovojë përfshirjen e tyre sociale, në veçanti për ata që ndodhen në kushte të vështira.

Puna për hartimin e Planit po zhvillohet nën koordinimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si institucioni përgjegjës për politikat e mbrojtjes së fëmijëve në Shqipëri. Gjithashtu, që prej nëntorit 2023, Komisioni Europian ka miratuar një kuadër të përbashkët monitorimi për të ndjekur zbatimin e Garancisë në shtetet anëtare dhe vendet partnere.

Në mbështetje të këtij procesi, CRCA Shqipëri ka marrë përsipër të organizojë një fushatë kombëtare konsultimesh me fëmijët, me qëllim që të dëgjojë mendimet, përvojat dhe nevojat e tyre në raport me pesë prioritetet e Garancisë Europiane. Zëri i fëmijëve do të jetë thelbësor në hartimin e një Plani gjithëpërfshirës dhe të ndërtuar mbi përvojën e drejtpërdrejtë të fëmijëve në Shqipëri.

Garancia Europiane për Fëmijët është një thirrje për veprim ndaj të gjitha institucioneve, shoqërisë civile dhe vetë shoqërisë shqiptare për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të sigurt, të drejtë dhe të barabartë për çdo fëmijë.


Detajet e Lajmit
July 1, 2025
172
Kategoria