Tiranë, 20 Qershor 2025 – Fushata Kombëtare për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijëve në hapësirën dixhitale në shkollë, e mbështetur nga Bashkimi Europian – programi Europa Dixhitale dhe CRCA-ECPAT Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Linjën Kombëtare të Telefonit të Ndihmës për Fëmijët (ALO 116-111), njoftoi se që nga hapja e saj në Janar të këtij viti, është takuar dhe ka biseduar me mbi 7400 nxënës dhe mbi 600 mësues e prindër, ndërkohë që mbi 21 mijë vizita janë bërë gjatë kësaj kohe në faqet sociale të fushatës.

Fushata Kombëtare “Fëmijë të Sigurt në Internet në Shkolla të Sigurta” u organizua në mbështetje dhe në koordinim të plotë me Planin Kombëtar të Veprimit për Sigurinë në Shkolla, të Qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit, i cili u miratua në Dhjetor 2024, pas ngjarjes tragjike të vrasjes së një të mituri në Tiranë nga një bashkëmoshatar, pas një konflikti që kishte lindur në rrjetet sociale.

Fushata u udhëhoq nga stafi dhe vullnetarët e Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijë – ALO 116 111, në bashkëpunim me CRCA/ECPAT Shqipëri, Platformën Kombëtare për Internet të Sigurt – iSIGURT.al dhe me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në kuadër të projektit netSMARTkids, që mbështetet nga Komisioni Europian.

Fushata u shtri në 12 Qarqe të vendit dhe deri më tani ajo ka përfshirë 170 shkolla, nga të cilat 118 ishin shkolla 9-vjeçare dhe 52 gjimnaze, duke shtrirë aktivitetet informuese dhe ndërgjegjësuese në qytete dhe zona rurale në të gjithë vendin. Në total fushata bisedoi drejtpërsëdrejti me 7,421 nxënës, nga të cilët 3,690 vajza dhe 3,731 djem, mbi 680 prindër, mësues, psikologë, oficerë sigurie në shkolla dhe punonjës të mbrojtjes së fëmijëve.

Shtrirja e fushatës u reflektua edhe në media, me më shumë se 30 intervista dhe përhapje të gjerë në rrjetet sociale, ku janë arritur mbi 21.000 të rinj dhe nxënës në prezencë online në platformat kryesore, duke rritur kështu ndërgjegjësimin për rëndësinë e sigurisë online dhe përcjelljen e ndikimit edhe më tej.

Objektivi kryesor i fushatës ishte edukimi dhe ndërgjegjësimi i fëmijëve dhe të rinjve mbi sigurinë në internet, bullizmin online dhe offline, si dhe rëndësinë e raportimit të rasteve të dhunës përmes mekanizmave të sigurt si ALO 116 111 dhe iSIGURT.al. Njëkohësisht, fushata synoi të përfshijë prindërit si aktorë kyç në mbrojtjen dhe orientimin e fëmijëve në mjediset dixhitale.

Fushata do të kthehet përsëri në shkolla pas pushimeve verore, duke patur si synim që gjatë këtij viti të takohet dhe të bisedojë me mbi 20 mijë fëmijë dhe adoleshentë anembanë Shqipërisë.

Për më shumë informacion, kontaktoni:

CRCA – ECPAT Shqipëri

crca@crca.al

ALO 116-111 Shqipëri

alo116@alo116.al


Detajet e Lajmit
June 23, 2025
432
Kategoria