
Tiranë, 25 Shkurt 2022 – Në kuadër të Ditës Europiane për të Drejtat e Viktimave, CRCA/ECPAT Shqipëri, organizoi tryezën e diskutimit: ZËRAT E TË MBIJETUARVE TË DHUNËS SEKSUALE NË SHQIPËRI! Me pjesëmarrje nga institucionet shtetërore, rrjetet më të mëdha në nivel global si: ECPAT International, INHOPE dhe VSE, ligjvënës të Kuvendit të Shqipërisë dhe ekspertë të fushës së mbrotjtjes së fëmijëve, ky takim përveç prezantimit të studimit “Zërat e të Mbijetuarve”, kërkoi të sjellë edhe një përgjigje kombëtare dhe ndërkombëtare në mbrojtje të fëmijëve viktima të krimit.
Vetëm gjatë tre viteve të fundit, Barnahus Shqipëri ka arritur që të mbrojë nga kthetrat e pedofilëve dhe grabitqarëve seksuale mbi 60 fëmijë e të rinj nga e gjithë Shqipëria. Raporti i BECAN i realizuar në nëntë vende të Ballkanit, tregoi se të paktën 1 dhe 10 fëmijë në Shqipëri është viktimë e dhunës seksuale. Indeksi Global i Krimit e renditi Shqipërinë ndër 57 vendet me kriminalitet të lartë dhe me aftësi të vogla për ta përballuar e luftuar atë, duke e quajtur madje kriminalitetin të dhunshëm. Nga ana tjetër, krimi i organizuar shqipfolës, varfëria dhe pabarazitë ekonomike e sociale, përhapja e gjerë e internetit te fëmijët dhe adoleshentët, dëshira për t’u larguar nga vendi për një jetë më të mirë në një vend të Bashkimit Europian, po ekspozojnë një numër gjithnjë e më të madh të fëmijëve në dhunë dhe shfrytëzim për qëllime seksuale.
CRCA/ECPAT Shqipëri prej kohësh po kërkon të jetë zëri i viktimave që i kanë mbijetuar dhunës në tërësi si fenomen, dhe abuzimit e shfrytëzimit seksual në veçanti. “ZËRAT E TË MBIJETUARVE TË DHUNËS SEKSUALE NË SHQIPËRI”, është raporti i parë në Shqipëri që vendos në qendër zërat e viktimave të mbijetuar të dhunës seksuale dhe përballjen që ata kanë patur me sistemin e mbrojtjes së fëmijëve. Raportit i bashkohen edhe zërat e profesionistëve që punojnë në mbrojtje të fëmijëve, duke sjellë edhe ata perspektivën e tyre sesi mund të përmirësohet mbështetja dhe kujdesi për fëmijët dhe adoleshentët viktima të krimeve. KyRaport është një punë e përbashkët e ekspertëve më të mirë të ECPAT International dhe CRCA/ECPAT Shqipëri!
CRCA/ECPAT Shqipëri, një organizatë anëtare e Rrjetit të Mbështetjes së Viktimave në Europë (VSE), në kuadër të Ditës Europiane për të Drejtat e Viktimave, organizoi jo vetëm publikimin e gjerë të këtij raporti por edhe diskutimin mbi gjetjet dhe rekomandimet e tij.
Drejtori i CRCA/ECPAT Shqipëri, Altin Hazizaj, nënvizoi se “Bën tashmë 4 vjet që i jemi dedikuar çeshtjeve te mbrojtjes së fëmijëve-viktima. Bazuar në realitetin që u prezantua sot, është rasti të ftojmë të gjithë aktorët që të punojmë së bashku, për të bërë të mundur ndryshimin. Ne duhet të ndërtojmë një sistem që është i hapur për çdo fëmijë. Duke krijuar këtë ne vendosim një tjetër gur në themelin e mbrojtjes së fëmijëve viktima të dhunës në Shqipëri.”
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Altin Hazizaj, Drejtor Ekzekutiv i CRCA/ECPAT Shqipëri
E-mail: crca@crca.al
Kontakti me Mediat:
Albana Mustafaraj
E-mail: albana.mustafaraj@crca.al