Forumi Ndërkombëtar i bashkë-organizuar nga CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ECPAT International ndau për institucionet dhe mbrojtësit e të drejtave të fëmijëve, modelin e Barnahus, si një ndër më të mirët për kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve që i mbijetojnë dhunës seksuale

Tiranë, 14 Tetor 2021 – Shqipëria tashmë prej disa vitesh po përballet me një valë të shtuar të raportimeve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve dhe të rinjve. Rritja e rasteve ekstreme të dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve, e cila në këto dy vitë ka patur një kurbë të theksuar rritjeje, ka vendosur në udhëkryq institucionet dhe sistemin e mbrojtjes së fëmijëve në vend.
Mungesa e përvojës në trajtimin e rasteve, raportimi i shtuar nga fëmijët dhe paragjykimet shoqërore që nxisin heshtjen ose mos raportimin e kanë bërë urgjente nevojën për diskutim midis vendimmarrësve, zyrtarëve publikë dhe profesionistëve se çfarë modeli do të zbatojë Shqipëria për të mbrojtur dhe kujdesur për fëmijët -viktima të dhunës dhe shfrytëzimit seksual. Studimet mbi çështjet e abuzimit seksual online dhe jo të fëmijëve në Shqipëri tregojnë një prirje shqetësuese të rritjes së numrit të fëmijëve dhe të rinjve që bien viktima të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual.
Nisur nga kjo situatë, CRCA/ECPAT Shqipëri, në partneritet me ECPAT International, Rrjetit PROMISE të Barnahus dhe Divizionit për të Drejtat e Fëmijës të Këshillit të Europës, organizuan Forumin Ndërkombëtar “BARNAHUS: Një model suksesi në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual”.
Forumi analizoi gjetjet e studimit “Zërat e të Mbijetuarve në Shqipëri”, si studimi i parë i zhvilluar ndonjëherë në vend që vendosi zërat e të fëmijëve të mbijetuar nga abuzimi dhe shfrytëzimi seksual në internet në pararojë të përgjigjes ndaj këtij problemi. Studimi i zhvilluar nga ECPAT International me mbështetjen e WePROTECT Global Alliance, në partneritet me CRCA/ECPAT Shqipëri mati cilësinë dhe efektivitetin e shërbimeve mbështetëse në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna seksuale.
Përgjatë forumit, PROMISE Barnahus prezantoi edhe një model shumë të sukseshëm të Barnahus në Europë, një model ky që ka arritur të ndihmojë mijëra viktima të dhunës seksuale.
Më pas forumi u ndal në prezantimin e modelit BARNAHUS edhe në vendin tonë dhe funksionimin e tij përgjatë këtyre viteve. Diskutimet vijuan me përfaqësuesit e institucioneve publike, OSHC-ve, ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë mbi përfitimet e modelit të Barnahus dhe sesi Shqipëria mund ta zbatojë atë më sukses.
Një tjetër vend të veçantë të këtij forumi zuri edhe diskutimi mbi forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar midis institucioneve publike në Shqipëri dhe OShC -ve, në mënyrë që të adresojnë abuzimin dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve në internet dhe në jetën e përditshme, si dhe mbështetjen e nevojshme për të mbijetuarit për të kapërcyer traumën dhe për të ndërtuar një jetë të re. Sipas Raportit, në vendin tonë 100% e viktimave nuk kanë dijeni apo kanë mungesë të theksuar të informacionit mbi mekanizmat zyrtarë të raportimit në dispozicion të tyre si edhe të platformave dhe linjave të veçanta të raportimit, përfshirë platformat e bazuara në ueb dhe ato të krijuara posaçërisht për fëmijët
BARNAHUS Shqipëri është krijuar me shërbimin e tij të parë në Shqipëri në vitin 2019, nga CRCA/ECPAT Shqipëri, duke mbështetur çdo fëmijë që i ka mbijetuar dhunës dhe shfrytëzimit seksual. Rreth 65 fëmijë dhe adoleshentë kanë marrë mbështetje me shërbime psikologjike, sociale, ndihmë ligjore falas etj.  Barnahus Shqipëri është pjesë e Rrjetit Europian PROMISE, që sjell së bashku të gjitha qendrat Barnahus në Europë. 
 
Për më shumë informacion, kontaktoni:
 
CRCA/ECPAT Shqipëri
Cel: +355675002025
E-mail: crca@crca.al
 
Kontakti me Mediat:
Albana Mustafaraj
E-mail: albana.mustafaraj@crca.al