
Tiranë, 11 Shkurt 2009 – Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – (CRCA / DCI Shqipëri) në partneritet me UNICEF – Shqipëri, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve si dhe Institucionin e Vuajtjes së Dënimeve Penale, Vaqarr, organizuan sot workshopin“Integrimi në shoqëri i të miturve në konflikt me ligjin”, në kuadër të programit “Qielli është i të Gjithëve” i financuar nga UNICEF, SIDA dhe Delegacioni i Bashkimit Europian.
Workshopi, i cili zgjati për rreth dy orë, u zhvillua në Sallën e Bibliotekës së Institucionit të Vuajtjes së Dënimeve Penale, Vaqarr, një institucion ku të miturit në konflikt me ligjin vuajnë dënimet penale të formës së prerë.
Qëllimi i workshop-it ishte diskutimi ndërmjet partnerëve, që punojnë në fushën e administrimit të drejtësisë për të mitur, rreth modeleve të integrimit të të miturve në konflikt me ligjin në shoqëri, prezantimit të nismave të suksesshme për rehabilitimin e fëmijëve në konflikt me ligjin në bugje, si dhe debate mbi programeve specifike për integrimin e të miturve, kur ata përfundojnë periudhën e burgimit dhe kthehen në komunitet.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, UNICEF, si dhe OJF-të që punojnë në fushën e administrimit të drejtësisë për të mitur në Shqipëri etj.
Workshopi u përshëndet nga zv. Drejtori i Përgjithshën i Burgjeve, z. Lulëzim Kodra, Zv.Drejtor i UNICEF, z. Robert Car, si dhe Drejtori i CRCA / DCI Shqipëri, z. Altin Hazizaj. Në fjalën e tyre ata u ndalën në rëndësinë që paraqet ri-integrimi i të miturve në konflikt me ligjin, si dhe masat që janë zbatuar deri më sot për rehabilitimin e të miturve që vuajnë dënimin me burgim në institucionin e vuajtjes së dënimeve penale në Vaqar.
Një aspekt i rëndësishëm i workshop-it ishte prezantimi i modelit të ngritur dhe të zbatuar në kuadër të programit “Qielli është i të Gjithëve”, i cili konsiston në forcimin e kapaciteteve personale të të miturve në konflikt me ligjin në Vaqar, nëpërmjet aktiviteteve edukuese, sportive dhe argëtuese, si një mundësi për të krijuar bazat e ri-integrimit të tyre të suksesshëm në shoqëri.
Një grup të miturish, që vuajnë dënimin në burgun e Vaqarrit, performuan një pjesë teatrale të përgatitur nga ata vetë në kuadër të programit “Qielli është i të Gjithëve”.