Lidershipi I Të Rinjve Të Tiranës Konsulton Publikisht Manifestin Rinor

Lidershipi I Të Rinjve Të Tiranës Konsulton Publikisht Manifestin Rinor

Tiranë, 9 Nëntor 2012 - CRCA dhe Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë, që ka si mision avokimin për rritjen e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në politikë dhe vendim-marrje në bashkëpunim me grupimin rinor “Lidershipi i të Rinjve të Tiranës”, organizoi më datë 9 Nëntor 2012 Konsultimin Publik të Manifestit Rinor.

Qëllimi i konsultimit ishte prezantimi dhe diskutimi i gjerë publik i Manifestit Rinor me të rinjtë, organizatat dhe forumet rinore, për të sjellë shqetësimet reale të një prej grupeve më të mëdha shoqërore, siç janë të rinjtë, në vëmendjen e Qeverisë, institucioneve dhe partive politike.

Manifesti Rinor është një dokument që parashtron kërkesat kryesore të të rinjve, evidentuar nga problemet dhe shqetësimet e tyre. Ky Manifest është formuluar nga grupi rinor “Lidershipi i të Rinjve të Tiranës” dhe është konsultuar më gjerë me organizata dhe grupime rinore.

Në pjesën e parë të takimit, përfaqësues të “Lidershipit të të Rinjve të Tiranës” prezantuan tek pjesmarrësit kërkesat e Manifestit sipas pesë pikave të tij: Edukim Gjithëpërfshirës dhe cilësor; Përfaqësim rinor në vendimmarrje; Punësim rinor; Hapësira Publike për të Rinjtë; Shëndetësia për të Rinjtë. Ndërsa pjesa e dytë e takimit u përqëndrua në punë në grupe po sipas pesë pikave kryesore të Manifestit, ku u diskutuan kërkesat e parashtruara dhe u dol me sugjerime e riformulim të tyre.

Synohet që drafti përfundimtar i Manifestit Rinor, me të gjitha sugjerimet e dala nga Konsultimi, t’u drejtohet të gjitha Partive Politike, Parlamentarëve, Qeverisë dhe Kryetarëve të Bashkive e Komunave në Shqipëri, për të adresuar shqetësimet kryesore dhe pritshmëritë që rinia ka dhe që partitë politike, autoritetet e të zgjedhurit qëndrorë dhe vendorë duhet ti kenë parasysh dhe të marrin masa për ti plotësuar ato.

Në këtë Konsultim morën pjesë përfaqësues të forumeve politike rinore si nga PS, PR, PDIU, AK, LSI, PC, etj; organizatave dhe grupimeve rinore si RVSH, Parlamenti Rinor, Përtej Barrierave, Lëvizja Mjaft, Uniteti Rinor; aktivistë të shoqërisë civile; përfaqësues të Bashkisë Tiranë; KMD-së; përfaqësues të organizatave ndërkombëtare; Medias, etj. 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL