
Tiranë, 7 Shkurt 2024 – Vodafone Shqipëri dhe Abissnet, dy ndër kompanitë kryesore të internetit dhe të komunikimit, sot në mëngjes, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Internet të Sigurt, iu bashkuan Paktit Kombëtar për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna. Ceremonia e firmosjes së paktit u bë në hapje të Forumit të 9-të Kombëtar për Internetin e Sigurt në Shqipëri.
“Vodafone Shqipëri ka qenë gjithnjë në krye të përpjekjeve për mbrojtjen e fëmijëve sin ë hapësirën kibernetike, ashtu edhe në realitetin e tyre të përditshëm. Ne me CRCA/ECPAT Shqipëri kemi patur dhe kemi një bashkëpunim të shkëlqyer në mbështetje të ALO 116-111 dhe tani në kuadër të iSIGURT.al” – tha Viola Puci, nga Vodafone Shqipëri.
Pakti fokusohet në rritjen dhe forcimin e koordinimit, shkëmbimit të informacionit në kohë reale, marrjes së masave të përbashkët si dhe organizimin e fushatave kombëtare ndërgjegjësuese për të parandaluar dhunën dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve në internet dhe në jetën e përditshme. Ai përmban gjashtë masa bazë, ndërkohë që institucionet, shoqëria civile dhe sektori i biznesit , mund të zhvillojë veprimit e saj në zbatim të planit.
“Abissnet ju bashkua ftesës së iSIGURT dhe CRCA Shqipëri për të nënshkruar Paktin Kombëtar, pasi ne besojmë se të gjithë kemi përgjegjësi për mbrojtjen e fëmijëve” – tha Kejd Myrta i Abissnet .
Shqipëria po përballet me një numër gjithnjë e në rritje të raportimeve të dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve online dhe në jetën e përditshme. Nisur nga rritja e numrit të ngjarjeve dhe denoncimeve, CRCA/ECPAT Shqipëri inicioi Paktin Kombëtar Për Mbrojtjen e Fëmijëve nga Dhuna në Shqipëri, i cili u nënshkrua nga katër ministritë kryesore të Qeverisë shqiptare, CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ALO 116-111, në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës në 20 Nëntor 2023. “Nënshkrimi i Paktit nga dy kompani lider të industrisë së internetit dhe komunikimit në Shqipëri është një arritje që tashmë na sjell më afër krijimit të Aleancës Kombëtare për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi në botën virtuale dhe në jetën e përditshme. Ne po punojmë që Platformës t’i bashkohen platformat online në gjuhën shqipe dhe kompanitë e tjera të internetit” – tha Altin Hazizaj, përfaqësues i CRCA/ECPAT Shqipëri.