Shpallet Lëvizja #NEJEMI1 – së bashku kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve!

Shpallet Lëvizja #NEJEMI1 – së bashku kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve!

Nën kujdesin e posaçëm të Presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, CRCA/ECPAT Shqipëri bëhet nismëtare e një lëvizje kombëtare për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga dhuna seksuale!

Tiranë, 23 Korrik 2020 – CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Barnahus Albania, nën kujdesin e posaçëm dhe pjesëmarrjen e Presidentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, shpallën sot në Kopshtin e Gjelbërt të Presidencës, nën prezencën e përfaqësuesve të institucioneve publike, ambasadave, shoqërisë civile dhe medias, krijimin e Lëvizjes Kombëtare #NEJEMI1 – së bashku kundër dhunës seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri.

Dhuna dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve është kthyer në fenomenin më shqetësues për shoqërinë tonë. Ky fenomen ndikon jo vetëm te viktimat dhe familjet e tyre, por edhe komunitetet ku ne jetojmë. Jo më larg se një muaj më parë, rasti i dhunës dhe shfrytëzimit seksual të vajzës 15 vjeçare tronditi opinionin publik. Ai ishte një alarm për shkollën, komunitetin, institucionet, por edhe OSHC-të, për të treguar sesa të organizuar janë grabitqarët seksuale dhe sa pak të përgatitur ishim ne si shoqëri për t’iu përgjigjur këtij fenomeni sa lokal aq edhe global.

Studimet tregojnë se 1 në 10 fëmijë janë viktima të dhunës dhe ngacmimit seksual në Shqipëri. Dhuna dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve ushqehet jo vetëm nga sjellja e grabitqarëve seksualë, por edhe nga paragjykimet shoqërore, sistemi i dobët i mbrojtjes së fëmijëve, tabutë mbi seksin edhe stereotipet gjinore.

Në shpallje të Lëvizjes, Presidenti nënvizoi se: ”Dhuna dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve është abuzimi më i rëndë që ndodh në Shqipëri! Ajo ka pasoja afatshkurtra dhe afatgjata. Duhet të ndërmarrim masa urgjente për parandalimin e kësaj dhune, si Regjistri Kombëtar të Krimeve Seksuale, forcimi i Legjislacionit shqiptar dhe Ligji i Posaçëm për Mbrojtjen e Fëmijëve në Internet, etj.”

Lëvizja Kombëtare #NEJEMI1, ka si qëllim luftën për eleminimin e dhunës seksuale ndaj fëmijëve. Ajo kërkon të përmirësojë dhe fuqizojë mekanizmat e mbrojtjes së fëmijëve dhe adoleshentëve viktima të dhunës seksuale dhe të shërbimeve ndaj tyre. Ajo kërkon të adresojë sfidat dhe mangësitë në mbrojten e fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual në të gjithë Shqipërinë, duke angazhuar qytetarët, prindërit, arsimtarët, edukatorët, artistët, zyrtarët publikë, shoqërinë civile, të rinjtë dhe vetë fëmijët, për të denoncuar çdo akt të dhunës apo shfrytëzimit seksual të fëmijëve, si dhe për të punuar me autoritetet për të marrë masa për të mbrojtur, kujdesur dhe ndërgjegjësuar fëmijët dhe familjen nga pasojat që sjell dhuna.

Ajo përfshin përmirësimin e politikave të mbrojtjes së fëmijëve dhe kuadrit ligjor, fuqizimin e mekanizmave të mbrojtjes së fëmijëve dhe përmirësimin e shërbimeve të mbrojtjes së tyre si dhe organizimin e fushatave informuese dhe ndërgjegjësuese dhe forcimin e komunikimit e bashkëpunimit midis institucioneve dhe shoqërisë civile.

Drejtori i CRCA Shqipëri, Altin Hazizaj në hapje të takimit nënvizoi, se “#NEjemi1, kërkon të çlirojë të gjithë shoqërinë shqiptare nga steriotipet që nuk lejojnë vajzat dhe djemtë të jenë të barabartë. Kjo lëvizje mbarëkombëtare synon të eleminojë paragjykimet mbi seksualitetin që i shndërron vajzat në objekte të sulmit, kontrollit dhe pushtetit të burrave e djemve. Është momenti që të themi njëzëri #NEJEMI1 së bashku kundër dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri!”

Krijimi i Lëvizjes Kombëtare, u nxit nga rritja e rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve. Vetëm në harkun kohor të një viti, 67 fëmijë dhe adoleshentë janë dhunuar, ngacmuar dhe shfrytëzuar për qëllime seksuale.

Dhuna seksuale është një cënim i rëndë i të drejtave të fëmijëve. Ajo shfaqet në formën e abuzimit seksual, përdhunimit, ngacmimit seksual, shfrytëzimit të fëmijëve për prostitucion apo pornografi dhe abuzimit në jetën e përditshme dhe atë virtuale, si “grooming”, “sexting” etj. Këto krime shkelin rëndë të drejtat e njeriut duke shkaktuar pasoja të rënda në shëndetin dhe mirëqënien e fëmijës.

 

 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL