Shoqëria civile proteston para Kuvendit të Shqipërisë

Tiranë, 6 Qershor, 2018 – Shoqëria civile iu bashkua sot Rrjetit Kombëtar “Vepro për Fëmijët” I cili protestoi para Kuvendit të Shqipërisë. Përfaqësuesit e organizatave që operojnë në vend për të drejtat e fëmijëve, kërkuan vendime të drejta gjyqësore për të gjithë grabitqarët seksualë që kërcënojnë e abuzojnë me fëmijët.
Nën zhurmën e bilbilave dhe me pankarta ne dorë, shoqëria civile i kërkoi ligjvënësve shqiptarë të ndërhyjnë urgjentisht për miratimin me procedurë të përshpejtuar të ndryshimeve të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
Në emër të rrjetit, Drejtori i CRCA Shqipëri, z. Altin Hazizaj dorëzoi zyrtarisht kërkesën publike Kuvendit, kërkesë kjo që i drejtohet edhe Komisioneve Parlamentare të Ligjeve, Punës dhe çështjeve Sociale, Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas, Për të Drejtat e Njeriut si dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Në kërkesën publike drejtuar insitucioneve ligjvënëse shqiptare, Rrjeti Kombëtar“ Vepro Për Fëmijët” ngre zërin që :

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë, të apelojë urgjentisht vendimin e dhënë nga gjykata, duke kërkuar rritjen e dënimit për përsonin që një vit më parë përdhunoi një vajzë të mitur 15 vjeçare në Pogradec.
Kuvendi i Shqipërisë, me procedurë të përshpejtuar të miratojë ndryshimet e kërkuara në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale.
Agjensia Kombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëvetë marrë në mbrojtjen të menjëhershme vajzën 15 vjeçare dhe të paguajë të gjitha kostot e trajtimit psiko-social, strehimit dhe kujdesit ndaj saj.

Disa muaj më parë një e mitur 14 vjeçare u abuzua seksualisht nga një burrë 54 vjeçar në Velçan të Pogradecit. Në 15 Tetor 2017 CRCA Shqipëri dhe ALO 116, sapo u njoftuan për këtë ngjarje raportuan pranë Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve Pogradec, rastin në fjalë, duke kërkuar mbrojtjen urgjente dhe shërbime psiko-sociale për të miturën.
Ndërkohë tre ditë më parë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, dha dënimin prej 4.8 vite burg për abuzuesin 54 vjeçar, i cili kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën, duke shkaktuar edhe shtatëzaninë e vajzës së vogël.
Rrjeti kombëtar “Vepro për Fëmijët” që në vitin 2016 i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë miratimin e ndryshimeve të Kodit penal për dhunën seksuale ndaj fëmijëve dhe të miturve. Sot e kësaj dite, ende ligjvënësit, nuk i kanë miratuar këto ndryshime, gjë që tregon se grabitqarët seksualë në Shqipëri janë më të mbrojtur përballë fëmijëve.
 


Detajet e Lajmit
June 9, 2018
275
Kategoria