DEKLARATË PUBLIKE

Tiranë, 25 Shtator 2018 – Qendra për të Drejtat e Fëmijëve Shqipëri (CRCA), Koalicioni për Arsimin në Shqipëri(ACE), si dhe Rrjeti Kombëtar “Vepro për Fëmijët”, me anë të kësaj deklarate publike ngrenë edhe një herë shqetësimin e tyre të thellë në lidhje me çmimin e biletave në transportin urban për fëmijët kudo në Shqipëri. Një sërë raportesh të fundit nga media tregojnë se fëmijëve po ju kërkohet të paguhet çmimi i biletës për transportin qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas njësoj si të rriturit. Gjendja paraqitet tepër shqetësuese sidomos në Bashkitë ku ka transport publik të organizuar dhe funksional.
Ligji për transportin i vitit 1998 (me ndryshime në vitin 2014) nuk cakton detyrimin e Bashkive për të ofruar tarifa me të ulta për transportin publik për fëmijët, megjithatë praktika e zakonshme kudo në Shqipëri ka qenë që fëmijët të paguajnë gjysmën e çmimit të biletës së të rriturive. Ndërkohë që raportet më të fundit tregojnë se kjo praktikë është eleminuar tërësisht pasi Këshillat Bashkiake nuk kanë krijuar asnjë mundësi që fëmijët të përdorin transportin publik ose falas ose me tarifë të reduktuar.
Mos-garantimi i të drejtës së lëvizjes së lirë për fëmijët nga ana e ligjit për transportin në Shqipëri, është në kundërshtim të hapur me frymën e Kushtetutës dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve. Shteti shqiptar ka për detyrë të mbrojë pa paragjykim të drejtat e fëmijëve të sanksionuara në Konventën për të Drejtat e Fëmijës së OKB-së dhe nga ligjet e tjera të vendit.
Shkelja e të drejtës së lëvizjes së lirë të fëmijëve sjell si pasojë edhe shkelje të tjera të rënda të të drejtës së fëmijës, si të drejtën për jetën, shëndetin, arsimin, dhe mirëqëninen e tyre. Mos-garantimi i të drejtës së fëmijës për të përdorur transportin publik ose falas ose me tarifë të reduktuar, në bindjen tonë ndëshkon sidomos fëmijët që jetojnë në varfëri, të cilët më së shumti janë ata që kanë nevojë për mbështetjen e ndihmën e shtetit. Për më tepër mendojmë se kjo masë rrezikon që një numër gjithnjë e më i lartë i fëmijëve, sidomos fëmijëve vajza, të bëhen pre e dhunës dhe ngacmimeve seksuale nga të rriturit.
Nisur nga kjo situatë e jashtëzakonshme, CRCA, ACE, Rrjeti “Vepro për Fëmijët”  kërkojnë nga autoritetet në Shqipëri sa më poshtë:

Komisioni Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, të mbështesë përmirësimin e menjëhershëm të Nenit 14 të ligjit “Për Transportin” në Shqipëri, Nr. 8308 i datës 13/03/1998;
Këshilli i Ministrave të shohë me prioritet miratimin e një VKM-je e cila do të udhëzonte këshillat bashkiake për caktimin e tarifave zero ose të reduktuara për transportin publik qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas  për fëmijët;
Këshillat Bashkiakë anembanë Shqipërisë, janë po aq përgjegjëse për respektin e të drejtave të fëmijëve sa edhe Qeveria dhe Kuvendi. Ndaj në këtë kuadër, CRCA, ACE dhe Rrjeti  “Vepro për Fëmijët” i kërkojnë atyre me forcë që të përcaktojë urgjentisht me vendim të Këshillit Bashkiak që transporti publik të jetë falas ose me tarifë të reduktuar për të gjithë fëmijët.
CRCA, ACE dhe Rrjeti “Vepro për fëmijët” i bëjnë thirrje të gjitha partive politike dhe në veçanti partive parlamentare që ta shohin me tepër prioritet këtë çështje, për shkak se ajo do të dëmtojë mbi të gjitha shtresat më të varfëra dhe më të margjinalizuara në vend.


Detajet e Lajmit
September 25, 2018
297
Kategoria