
Pogradec, 21 Mars 2024 – Të rinjtë e të rejat në Bashkinë Pogradec diskutuan sot me nën-kryetaren e Bashkisë Pogradec, znj. Entela Gusho, prioritetet e të rinjve për Planin Vendor Rinor. Rreth 40 të rinj e të reja nga Këshilli Rinor Vendor, shkollat e mesme dhe universiteti, iu bashkuan takimit, i cili u organizua në formatin e Townhall meeting në Sallën e Këshillit Bashkiak, ku të rinjtë në fillim identifikuan sfidat dhe problemet me të cilat ata përballen dhe më pas i diskutuan zgjedhjet së bashku me drejtuesit e Bashkisë.
Ndër sfidat kryesore të evidentuara nga të rinjtë dhe që u diskutuan gjatë takimit ishin hapja e një kinemaje rinore në qytet, mungesa e laboratorëve në shkolla, bullizmi, mungesa e aktiviteteve rinore në qytet, të rinjtë që banojnë në fshatra, rritja e mundësive për më shumë sporte për të angazhuar të rinjtë etj. Me të rinjtë u ra dakord, që në kuadër të nismës së CRCA të organizohet edhe një event i përbashkët për të rinjtë e të rejat nga e gjithë Shqipëria.
Organizimi i këtij dialogu në formën e një Townhall Meeting – është një qasje që tashmë është bërë pjesë e diskursit shoqëror në Shqipëri, ku nga njëra anë të rinjtë prezantojnë shqetësimet dhe sfidat e tyre, ndërkohë që më pas Kryetari i Bashkisë, deputetët, anëtarë të këshillit bashkiak etj., ndajnë mendimet e tyre sesi mund të adresohen dhe zgjidhen këto çështje së bashku me të rinjtë.
Në Tetor 2023, CRCA/ECPAT Shqipëri, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Ministrisë së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, filloi zbatimin e nismës “Shërbime Rinore me një Ndalesë” që ka si synim kryesor integrimin e të rinjve në shoqëri, arsim dhe punësim përmes një modeli shërbimesh shumë-sektoriale, në bashkitë: Korçë, Pogradec, Maliq dhe Devoll. Pjesë e nismës është edhe përgatitja e Planeve Vendore për të Rinjtë. Qëllimi është që përgjatë procesit të konsultimeve dhe takimeve të ravijëzohen elementet kryesore të planeve vendore për rininë, të cilat më pas do të kalojnë për diskutim dhe miratim në Këshillin Bashkiak.
Për më shumë informacion kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri