
Tiranë, 25 Mars 2021 – Sot u hap zyrtarisht fushata një mujore për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. CRCA/ECPAT Shqipëri, nëpërmejt kësaj thirrje publike shpreh shqetësimin e saj se ende pa filluar fushata elektorale, fëmijët janë përdorur për qëllime përfitimi elektorale.
Shqipëria ka një histori të gjatë dhe të tmerrshme të shfrytëzimit të fëmijëve për qëllime elektorale. Nuk ka patur asnjë fushatë zgjedhore nga partitë politike në Shqipëri që nuk i kanë shfrytëzuar dhe përdorur fëmijët sa për një spot apo poster elektoral, duke i trajtuar ata thjesht si figurina, që duken bukur në reklama apo postera elektoralë, por që nuk kanë zë dhe nuk kanë asnjë kërkesë e pritshmëri përkundrejt partive politike në zgjedhje. Por kjo nuk është e vërtetë! Fëmijët kanë zë, kërkesa e plot pritshmëri përkundrejt partive politike, ndonëse ata nuk votojnë! Ky është fakti që partitë politike shfrytëzojnë!
NGA SOT NE I THEMI NDAL PËRDORIMIT DHE SHFRYTËZIMIT TË FËMIJËVE PËR QËLLIME PËRFITIMI ELEKTORAL NGA PARTITË POLITIKE NË SHQIPËRI!
CRCA/ECPAT Shqipëri i bën thirrje të gjitha partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021: Bëhuni seriozë dhe respektoni të drejtat e fëmijëve! Ndal përdorimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve në fushatat tuaja! Ju nuk do të dëshironit që të identifikoheni si një parti që shfrytëzon fëmijët!
CRCA/ECPAT Shqipëri, do të denoncojë publikisht çdo parti politike apo kandidat që shfrytëzon apo përdor fëmijët për qëllime të përfitimit elektoral! Nëse partitë politike e kanë seriozisht dhe në zemër kauzën e tyre për fëmijët, ne ju rekomandojmë atyre të ulen, të bisedojnë e të dëgjojnë fëmijët. Ju duhet të mësoni prej fëmijëve se cilat janë problemet dhe pritshmëritë e tyre. Që të realizohet kjo, duhet që çdo parti politike të ketë një kod të sjelljes dhe mbrojtjes së fëmijëve, si dhe një veting të kandidatëve nëse ndaj tyre ka dyshime apo ata kanë dhunuar ndonjë fëmijë.
Në të njëjtën kohë, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri, do të njoftojë çdo institucion, që ka për detyrë të monitorojë fushatat elektorale, të ndërmarrin të gjitha veprimet dhe masat dënuese nëse konstatohet përfshirja apo edhe shfrytëzimi i fëmijëve në fushatë. Nga ana tjetër ne i rekomandojmë prindërve, komuniteteve lokale dhe mediave, që të bëhen pengesa kryesore për partitë dhe politikanët për të ndaluar përdorimin dhe shfrytëzimin e fëmijëve.
CRCA/ECPAT Shqipëri, do të jetë përgjatë gjithë fushatës 2021, zëri dhe ndihma e çdo fëmije! Denonconi pranë Zyrës sonë Ligjore çdo parti apo kandidat që përdor apo shfrytëzon fëmijët për përfitime elektorale!
Për më shumë info, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
Tel: 04 2265741
E-mail: crca@crca.al