Tiranë, 6 Maj 2021 – CRCA/ECPAT Shqipëri, me anë të kësaj letre të hapur publike, drejtuar Ministres së Shëndetësisë, Znj. Ogerta Manastirliu, kërkon vaksinimin e menjëhershëm të stafeve të të gjitha institucioneve publike dhe të OJF-ve që punojnë drejtëpërsëdrejti me fëmijët dhe adoleshentët viktima të krimit e që çdo ditë përballen me rrezikun e virusit Covid -19.
Institucionet publike dhe organizatat e shoqërisë civile, së bashku me stafet e tyre, janë në pararojë të mbrojtjes shoqërore të qytetarëve, duke ju ofruar atyre një gamë të gjërë të shërbimeve shoqërore, psiko-sociale dhe ligjore, të cilat garantojnë kujdes, mbrojtje dhe rehabilitim. Këto shërbime, ashtu si edhe mjekët, ofrohen ballë për ballë, duke mbi-ekspozuar të gjithë përkundrejt Covid dhe pasojave të rënda të tij.
Nuk ka patur ditë e javë që stafet tona në kontakt me fëmijët e të rinjtë, nuk janë prekur nga Covid. Disa nga kolegët tanë më të mirë, nuk ia kanë dalë në luftën me këtë sëmundje të tmerrshme! Që nga fillimi i pandemisë, asnjë prej nesh, qoftë institucion publik apo OSHC nuk i ka mbyllur shërbimet psiko-sociale apo ligjore në mbështetje të viktimave! Por nga ana tjetër është për të ardhur keq, që ndërkohë të gjithë mjekët u vaksinuan, tashmë prej muajsh, të gjithë punonjësit e fushës psiko-sociale dhe ligjore, u lamë në harresë, sikur shërbimet tona të mos jenë të rëndësishme për qytetarët, sidomos ata më të vegjlit dhe më të pambrojturit!
Sidoqoftë Ministria e Shëndetësisë është ende në kohë për ta korigjuar këtë harresë! CRCA/ECPAT Shqipëri, një ndër organizatat më të vjetra në vend që avokon për të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve, sot ju kërkon publikisht që të filloni menjëherë vaksinimin e stafeve publike dhe të OJF-ve, që ofrojnë shërbime falas të kujdesit shoqëror, si dhe shërbime të tjera shoqërore direkte për fëmijët dhe të rinjtë. Kjo do të na jepte mundësi që të garantojmë vijueshmërinë e shërbimeve tona pa ndërprerje, në mënyrë që asnjë qytetar të mos vihet në rrezik për marrjen e tyre.
Në emër të CRCA/ECPAT Shqipëri
Altin Hazizaj,
Drejtor i Përgjithshëm