Tiranë, 26 Shkurt 2019 – Koalicioni për Arsimin në Shqipëri (ACE) në bashkëpunim me Linjën Kombëtare të Këshillimit për Fëmijët ALO 116, nën moton “Të sigurtë për të mësuar”, organizuan forumin e hapur me fokus mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve nga dhuna dhe bulizmi në arsimin parauniversitar në Shqipëri. Mbrojtja e fëmijëve në shkollë, shqetësimet dhe zgjidhja e tyre ishin cështjet kryesore ku u fokusua forumi me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sportit, IZHA, Agjensisë Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve, Urdhërin e Psikologut, etj.
Dhuna në shkolla në të gjitha format e saj është një shkelje e të drejtave të fëmijëve. Asnjë vend nuk mund të arrijë një cilësi gjithëpërfshirëse dhe të barabartë arsimim për të gjithë nëse nxënësit përjetojnë dhunë dhe ngacmime në shkollë. Në forum u prezantua raporti final i ACE dhe ALO 116 “Mbrojta e Fëmijëve nga Dhuna dhe Bulizmi në Arsimin Publik Para-universitar në Shqipëri.”
Raporti tregon se dhuna psikologjike konfirmohet nga 69% e fëmijëve të përfshirë në studim, përkundrejt 59% të dhunës fizike dhe 11% të dhunës seksuale. Studimi i Këshillit të Europës sjell se 19.4 % nxënësve janë të përfshirë në fenomenin e bulizmit 2-3 herë në muaj ose më shumë. Rreth 73% e nxënësve viktima parapëlqejnë që ta raportojnë bullizmin, kur ai ndodh. 86.6% e mësuesve e shohin të nevojshme të kenë një politike kundër dhunës dhe bulizmit në shkolla si thelbësore për një mjedis më të mirë për të gjithë nxënësit. Ndërsa programi COMBI tregon se 41% ose (1 në 3 nxënës) raportojnë përjetim të formës së dhunës psikologjike si formë dhune në frekuenca të ndryshme, dhe 1 në 5 nxënës raporton se është kërcënuar nga mësuesi.
Ndërsa përsa i përket rolit të psikologut në shkolla rezultoi se 20% e nxënësve tëkanë deklaruar se nuk kanë informacion rreth rolit të psikologut dhe funksionit që ai ka. Në 20% të shkollave të vizituara nxënësit nuk e njihnin fare psikologun. 40% e psikologëvetë takuar nuk janë të qartë për përshkrimin e punës së tyre. Në 55% të rasteve psikologët e shkollave nuk i njohin procedurat dhe hapat e menaxhimit të rastit. Në 70% të shkollave të vizituara është evidentuar fakti që nuk ka logjistikë të përshtatshme për të ofruar shërbim e duhur madje në disa raste si zyre psikologu përdorej salla e mësuesve.
Progres raporti i integrimit në BE në vitin 2018, evidentoi që Shqipëria, përkundër përmirësimeve të bëra në hartimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijëve:”Në vitin e ardhshëm, duhet të përmirësojë mekanizmat institucionalë për mbrojtjen e fëmijëve, mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe të garantojë barazinë gjinore”.
Përballë kësaj situate dhe shifrave të raportit, ACE kërkoi ndërtimin e një platforme shkëmbimi dhe bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë dhe OSHC-ve, mësuesve dhe profesionistëve të mbrojtjes së fëmijëve, për të nxitur hartimin e politikave të mbrojtjes së fëmijëve në sistemin arsimor parauniversitar në Shqipëri. Gjithashtu edhe përgatitjen e një Plani Kombëtar Veprimi për dhunën dhe bulizimin në shkolla. Duke evidentuar pikat e forta dhe dobësitë që ka sot sistemi i mbrojtjes, raportimit dhe referimit të dhunës në shkolla dhe në sistemin arsimor, ACE dhe ALO propozuan ndërhyrje efikase dhe të qëndrueshme për mbrojtjen e mirëqenies dhe të të drejtave të fëmijëve në sistemin arsimor para-universitar.