Jam i lumtur që jam pjesë e këtij momenti historik për qytetin e Tiranës e në mënyrë të veçantë për Këshillin Bashkiak dhe të rinjtë në kryeqytet. Sot të rinjtë në bashkëpunim dhe konsultim të ngushtë me Këshillin Bashkiak, për herë të parë në historinë tonë moderne, po krijojnë Bordin Rinor Këshillimor.
Ky Bord, por edhe shumë të tjerë si ai, që janë ngritur e do të ngrihen në Shqipëri, do të përbëjnë fytyren e re të pjesmarrjes Rinore dhe demokracisë lokale, ku vendimet që kanë të bëjnë me të rinjtë, janë të konsultuara me ta dhe ku vendim-marrja merr për bazë interesat dhe kërkesat e të rinjve, si qytetarë dhe si votues.
Kur flasim për të rinjtë, gjithnjë më vjen në mendje një fjali e shkruar nga Ana Frank, mbase në momentet më të vështira të jetës së saj:“Sa e mrekullueshme është që askush nuk ka nevojë të presë asnjë çast përpara se të fillojë të përmirësojë botën.” Ne sot po fillojmë të përmirësojmë Botën e të Rinjve në Tiranë!Një Botë që është e mirë për të Rinjtë është një Botë e mirë për këdo!
Për mua, jo thjesht si Drejtues i CRCA Shqipëri, që ka mbështetur krijimin e Lidershipit dhe sot konstituimin e Bordit të të Rinjve, por si një njeri që vjen vet nga lëvizja rinore e post 90-ës, përbën vetëm krenari që të shoh që të rinjtë kanë filluar t’ia dalin mbanë drejt pjesmarrjes së tyre në vendim-marrjen lokale.
“Lidershipi i të Rinjve të Tiranës”është një rrjet rinor, i përbërë nga 34 përfaqësues të forumeve politike të të rinjve dhegrupeve e organizatave rinore të shoqërisë civile në Tiranë, i krijuar në vitin 2012 nga CRCA Shqipëri në bashkëpunimin me organizatat e të rinjve në Tiranë. Unë gjej rastin të falenderoj miqtë tanë në Olof Palme International Center që besuan tek ne dhe tek kauza e të drejtave të të rinjve.
Sot “Lidershipi i të Rinjve të Tiranës” përbëhet nga 30 organizata rinore të shoqërisë civile si dhe 4 forume politike rinore. Ata vinë së bashku në këtë rrjet për tu konsultuar e ndërmarrë veprime e iniciativa të përbashkëta në interes të të gjithë të rinjve, pavarësisht bindjeve politike, statusit ekonomik, social, orientimit seksual, identitetit gjinor, aftësive apo grupimeve, në të cilat ata bëjnë pjesë. Qëllimi i Lidershipit është rritja e angazhimit dhe përfaqësimit të të rinjve në nivelin lokal në të gjitha fazat e vendim-marrjes e hartimit të politikave për të rinjtë.
Ngritja dhe funksionimi i Bordit Rinor Këshillimor pranë Këshillit Bashkiak Tiranë, nga të rinjtë për të rinjtë, është i një rëndësie të veçantë, pasi ai forcon pjesmarrjen, informimin dhe këshillimin e politikave dhe vendimeve të Këshillit Bashkiak me të rinjtë. Pavarësisht se sipas legjislacionit në fuqi, pranë pushtetit vendor duhet të ekzistojnë komisionet qytetare, të rinjtë e qytetit të Tiranës e kanë patur të vëshirë përfaqësimin e tyre në nivel lokal. Si rrjedhojë, politikat lokale jo domosdoshmërisht janë konsultuar me të rinjtë, apo janë hartuar e zbatuar me të rinjtë. Përmes krijimit dhe formalizimit të Bordit Rinor Këshillimor pranë Bashkisë më të madhe në vend, do të mund të shkohet drejt:
Demokratizimit të institucioneve dhe qeverisjes lokale;
Qeverisjes me pjesmarrje;
Politikave lokale të konsultuara me të rinjtë;
Buxhetimit me pjesmarrje, ku zëri i të rinjve të dëgjohet dhe merret parasysh;
Ideimit dhe realizimit të veprimeve e nismave të përbashkëta në nivel komunitar;
Rritjes së përgjegjshmërisë nga ana e institucioneve lokale ndaj ushtrimit të funksioneve të tyre për çështjen e të rinjve;
Krijimit të një vizioni për zhvillimin e të rinjve të Tiranës.
Se fundmi më lejoni që të falenderoj të gjithë ata që kanë bërë të mundur këtë arritje:
Z. Aldrin Dalipi, Kryetar i Këshillit Bashkiak Tiranë, për dedikimin, nxitjen dhe krijimin e të gjitha hapësirave demokratike që të rinjtë e kryeqytetit të marrin pjesë dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre civile dhe politike;
Të gjithë të rinjtë dhe organizatat që përbëjnë Lidershipin e të Rinjve të Tiranës, që i kanë dedikuar kohën dhe përpjekjet e tyre të çmuara rritjes së pjesmarrjes të të rinjve në politikat lokale dhe ato qëndrore në Shqipëri.
Olof Palme International Centre shumë organizata dhe ambasada prezente në Shqipëri që kanë besuar e vazhdojnë të besojnë se janë të rinjtë ata që do të sjellin një ndryshim të madh në këtë vend;
Klaudio Pulaha dhe Blerina Metaj nga Koalicioni për Nxitjen e Pjesmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë dhe CRCA Shqipëri, për dedikimin e tyre për kauzën e të drejtave të të rinjve në Shqipëri dhe krijimin e një platforme bashkëpunimi midis të rinjve dhe grave, si dy ndër grupet më pak të përfaqësuara në proceset politike dhe vendim-marrëse në Shqipëri.
I uroj Bordit Rinor Këshillimor dhe Këshillit Bashkiak Tiranë suksese në këtë mision sa frymëzues aq edhe fuqizues të qytetarëve tanë!
Nga: Altin Hazizaj
Drejtor i Përgjithshëm
CRCA Shqipëri