KRIJOHET ALEANCA E KËSHILLTARËVE TË RINJ NË KËSHILLIN BASHKIAK TIRANË
Tiranë, 16. 12. 2016 – Këshilltaret e rinj të Këshillit Bashkiak Tiranë, prej më shumë se 6 muajsh, kanë nisur punën për krijimin e Aleancës së Këshilltare të Rinj Tiranë. Pas një serie konsultimesh dhe firmosjes së Marrëveshjes së Krijimit të Aleancës mes përfaqësueseve të këshilltareve të të gjitha grupimeve politike brenda Këshillit Bashkiak Tiranë, ditën e sotme ato bënë publike krijimin e Aleancës së Këshilltareve të Rinj Tiranë.
Aleanca e Këshilltarëve të Rinj në Këshillin e Bashkisë Tiranë është një grup informal i këshilltarëve të rinj (nën moshën 35 vjec) të Këshillit Bashkiak Tiranë. Ata vinë së bashku nën këtë grupim pavarësisht përkatësive të ndryshme politike për të përfaqësuar e avokuar për zgjidhjen e problematikave të të rinjve të Tiranës. Aleanca synon  të krijojë një klimë mbështetëse për çështjet e të rinjve nga Këshilli Bashkiak dhe Bashkia e Tiranës dhe gjithashtu të fuqizojë anëtarët e vet dhe këshilltarët e rinj të qyteteve të tjera.
Këshilli Bashkiak i Tiranës në fund të zgjedhjeve të vitit 2015 hyri në histori në Shqipëri, si i pari këshill që për herë të parë kishte mbi 40% të rinj e të reja. Duke qenë se përfaqësimi i të rinjve është rritur ndjeshëm në Këshillin Bashkiak të Tiranës duke përbërë 40% të tij, kjo duhet të reflektojë edhe përmirësim të cilësisë dhe aspekteve të tjera të jetës së të rinjve që jetojnë, studiojnë dhe punojnë në Tiranë.Aleanca e Këshilltarëve të Rinj do të synojë që përmes veprimeve të përbashkëta të ndikojë në përmirësimin dhe hartimin e politikave lokale favorizuese për të rinjtë që rrjedhimisht do të çonte në përmirësimin e jetës dhe fuqizimin e tyre.
Gjatë aktivitetit, kryetarja e Aleancës znj. Floida Kërpaçi njëkohësisht këshilltare e LSI-së dhe nën.kryetaret znj. Argyrina Jubani (këshilltare e PD-së), znj. Joleza Koka (këshilltare e PS-së), znj. Albina Nanaj (këshilltare e PDIU-së), si dhe sekretari i përgjithshëm i AKRT z. Mateo Spaho, e vunë theksin tek qëllimi i punës së kësaj Aleance për fuqizimin e këshilltarëve të rinj, avokimin për tu dhënë zë problematikave të të rinjve të Tiranës.
Ndër të tjera përgjatë aktivitetit lancues të Aleancës, znj. Jubani dhe znj. Koka u ndalën dhe kërkuan publikisht në emër të AKRT-së nga Bashkia e Tiranës dhe Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore si më poshtë:

Hartimi me pjesëmarrje i Buxhetit të Bashkisë së Tiranës për zbatimin e Politikave Rinore, rritja, si dhe ndarja e këtij të fundit nga buxheti i sportit për vitin 2017.
Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore të nisë diskutimet për vendosjen e kuotës kombëtare rinore 30% në kodin zgjedhor për zgjedhjet kombëtare të vitit 2017.

Përveçse nga anëtaret e komitetit të Aleancës, ky aktivitet u përshëndet edhe nga Znj. Birgitta Jansson – Përfaqësuese e SIDA-s në Shqipëri; Z. Kamber Mici – Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Fryma e Re Demokratike; Z. Endi Shkupi – Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Republikane; Z. Flavio Qarri – Kryetar i Forumit Rinor të Aleancës Kuq e Zi.
Aktiviteti u ndoq nga përfaqësues të shoqërisë civile, të partive politike, medias, universiteteve, organizatave ndërkombëtare dhe trupit diplomatik, si edhe këshilltarë të rinj nga qytete të tjera.
Puna përgatitore për ngritjen e AKRT është lehtësuar dhe mbështetur nga Lidershipi i të Rinjve të Tiranës, Rrjeti Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, CRCA Shqipëri në kuadër të programit “Tirana: Qyteti Im – Zëri Im”, të mbështetur nga Olof Palme International Center dhe Qeveria Suedeze. 


Detajet e Lajmit
December 16, 2016
417
Kategoria