Korçë, 19 Janar 2024 – Të rinjtë e të rejat në katër bashkitë kryesore të Qarkut Korçë, filluan nga përgatitja e Planeve Rinore Vendore, të cilat do të përcaktojnë prioritetet strategjike për rininë në këto bashki, të paktën për tre vitet e ardhshme. Përgatitja e Planeve Rinore Vendore mbështet nga CRCA/ECPAT Shqipëri me financim të Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Ministrisë së Shtetit për Fëmijët dhe të Rinjtë.

Takimi i parë rajonal konsultativ bëri së bashku, në qytetin e Korçës, sot në mesditë rreth 60 të rinj e të reja, së bashku me Koordinatorët Rinorë nga të katër bashkitë. Të rinjtë e të rejat punuan për rreth katër orë në grupe pune dhe në konsultime me njeri-tjetrin për të evidentuar sfidat me të cilat përballen të rinjtë dhe zgjidhjet që ata propozojnë për çdo bashki!

Në pjesën e dytë të konsultimit rajonal, takimit iu bashkuan edhe Ministrja e Shtetit për Fëmijët dhe të Rinjtë, znj. Bora Muzhaqi, si dhe dy deputetët e këtij qarku: Ministri i Mbrojtjes z. Niko Peleshi dhe znj. Eni Zake. Gjatë dialogut të rinj – Ministri – deputetë, të rinjtë evidentuan disa nga çështjet dhe sfidat kryesore me të cilat përballet rinia në këtë Qark, ndërkohë që Ministrja Muzhaqi dhe të dy deputetët ndanë nga eksperienca e tyre mjete dhe metoda që të rinjtë mund të përdorin për të patur sukses në nismat e tyre më nivel vendor, si dhe angazhimin që çështjet e ngritura do t’i diskutojnë me Kryetarët e Bashkive respektive.

Që nga muaji Tetor 2023, CRCA/ECPAT Shqipëri po mbështet katër bashkitë për të fuqizuar punën me rininë, përfshirë edhe ngritjen në Korçë, për herë të parë në Shqipëri, të Qendrës Rajonale të Shërbimeve Rinore, një zyrë ku të rinjtë e të rejat mund të marrin informacion për të gjitha shërbimet rinore për arsimim, punësim, formim profesional, si dhe shërbime të mbrojtjes e kujdesit social! Nisma mbështetet dhe financohet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë dhe Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.

Për më shumë informacion, kontaktoni:

CRCA/ECPAT Shqipëri

e-mail: crca@crca.al



Detajet e Lajmit
January 23, 2024
519
Kategoria