Tiranë, 14 Nëntor 2013 – Përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe të rinjtë miratuan sot Planin e përbashkët të Veprimit për të Rinjtë në Tiranë, në Tryezën e Diskutimit mes të Rinjve dhe Ofruesve të shërbimeve.

Përmes këtij plani veprimi të rinjtë kërkojnë që Bashkia e Tiranës të bëjë funksionale Kartën e Studentit; të ndihmojë të rinjtë për të hyrë në tregun e punës përmes bërjes efiçente të Portalit të Punësimit të Bashkisë;  të rrisë dhe specifikojë si zë më vete buxhetin në dispozicion të të rinjve; të rrisë pjesmarrjen e të rinjve në vendim-marrjen përmes krijimit të strukturave të ngjashme me Këshillin Rinor Bashkiak; të marr masa për ngritjen dhe funksionimin e një qendre publike shumëfunksionale për kohën e lirë për të rinjtë, dhe sigurimin e aksesit të të rinjve në qendrat ekzistuese,etj.

Në këtë tryezë u prezantuan rezultatet e “Vlerësimit të Komunitetit për Qeverisjen” në Tiranë, metodologji që mundëson vlerësimin dhe monitorimin e cilësisë dhe përshtatshmërisë së shërbimeve që u ofrohen të rinjve nga institucionet vendore.Ky proces është zbatuar gjatë këtij viti, nën koordinimin e CRCA, ku të rinjtë e grupmoshës 18-24 vjeç, banues në Tiranë,  kanë vlerësuar shërbimet që u janë ofruar nga institucionet vendore lidhur me 3 çështje kryesore: punësimin rinor, kohën e lirë dhe pjesmarrjen në vendimmarrje. Gjatë këtij procesi edhe autoritetet vendore gjithashtu kanë vetëvlerësuar shërbimet që u ofrojnë të rinjve në Tiranë. 

Tryeza e sotme e diskutimit përbënte edhe fazën e pestë të procesit, e cila bëri bashkë të rinjtë dhe përfaqësuesit e autoriteteve vendore për të dialoguar e për të miratuar bashkarisht planin konkret të masave që duhen ndërmarrë, për tu dhënë zgjidhje problemeve specifike që kanë rezultuar nga vlerësimi.

Si autoritetet vendore ashtu edhe të rinjtë shprehën angazhimin e tyre për të zbatuar këto masa dhe vendosën që përmes një seance dëgjimore me Këshillin Bashkiak të kërkojnë miratimin dhe zbatimin e tij nga Bashkia. Ata shprehën gjithashtu konsideratën e tyre  për procesin e “Vlerësimit të Komunitetit për Qeverisjen” si një metodologji që u vjen në ndihmë të dyja palëve duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë dhe përshtatshmërisë së shërbimeve ashtu edhe në mirëqeverisjen vendore.

Në takim morën pjesë përfaqësues të Bashkisë së Tiranës, të Qendrave të Formimit profesional 1 dhe 4, të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Këshilltarë të Këshillit Bashkiak Tiranë, të rinj, aktivistë të shoqërisë civile, medias, organizatave ndërkombëtare, etj. Procesi u mbështet nga Olof Palme International Centre e cila po ndihmon 9 organizata në të gjithë vendin të kryejnë të njëjtin proces në qytetet e tyre.

Për më shumë info kontaktoni znj. Blerina Metaj, koordinatore e CRCA, e-mail: blerina.metaj@crca.al.


Detajet e Lajmit
November 14, 2013
261
Kategoria