Tiranë, 6 Prill 2021 – CRCA/ECPAT Shqipëri, Platforma Kombëtare ISIGURT.al dhe Zyra e Mbrojtjes Ligjore Falas për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri, me anë të kësaj kërkese publike drejtuar tre institucioneve publike në Shqipëri: Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, duan të shprehin shqetësimin e tyre për ekzistencën e një faqeje në internet, e cila mundëson marrjen online në çdo kohë të informacionit personal të çdo shtetasi shqiptar.
Bazuar në disa raportime të bëra pranë Platformës Kombëtare i SIGURT.al, ekspertët e CRCA/ECPAT Shqipëri dhe Zyrës së Mbrojtjes Ligjore Falas për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri, u vunë në dijeni se prej kohësh, online, ekziston një adresë shqiptare, e cila rrezikon seriozisht bërjen publike të identitetit të fëmijëve në të gjithë Shqipërinë, përfshi edhe adresën e tyre. Në këtë faqe gjenden lehtësisht të dhënat sensitive dhe adresat e shtetasve shqiptarë, përfshirë këtu edhe ato të fëmijëve nën moshën 18 vjeç. Me një kërkim të thjeshtë në këtë faqe, aksesohen të dhëna personale dhe sensitive të përsonit në fjalë, por edhe adresa të mirëfillta të vendbanimeve, statusi civil dhe familja dhe gjithçka tjetër, sikur të ishte një zyrë e mirëfilltë e Gjëndjes Civile.
Në bindjen tonë kjo faqe rrezikon seriozisht jetën dhe sigurinë e fëmijëve në Shqipëri, duke qenë lehtësisht e aksesueshme nga pedofilët dhe grabitqarët seksualë. Për më tepër, nëse kërkon të dhëna edhe më personale për një shtetas, pronarët e adresës kërkojnë që të paguhet për marrjen e të dhënave, bazuar në numrin e kërkimeve që ke bërë në faqe. Kjo ngre dyshime të forta, jo vetëm për mënyrën e përdorimit të të dhënave personale të shtetasve shqiptarë, që ligjërisht supozohet se janë të mbrojtura, ndërkohë që ato gjenden publike apo shiten për përfitime materiale online.
Neni 17 i Ligjit 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e Fëmijës”, garanton mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve në çdo lloj situate. Fakti që të dhënat personale dhe sensitive të fëmijëve gjendjen online, do të thotë që shteti shqiptar dhe institucionet e saj kanë lejuar një faqe publike në Shqipëri të shkelë me të dyja këmbët ligjin dhe sigurinë e fëmijëve.
Kjo adresë gjithashtu bie në kundërshtim të hapur me Ligjin nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili sqaron se të dhënat personale të çdo individi duhet të publikohen, përpunohen, apo edhe identifikohen vetëm në bazë të dhënies së pëlqimit nga çdo person. Gjithashtu referuar nenit nr. 28 të po këtij ligji, kontrolluesit, përpunuesit dhe personat, që vihen në dijeni me të dhënat e përpunuara, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, detyrohen të ruajnë konfidencialitetin dhe besueshmërinë edhe pas përfundimit të funksionit. Këto të dhëna nuk përhapen, përveç rasteve të parashikuara me ligj.
Referuar Nenit 27/2-b në Ligjin nr. 9887/2008, në të cilin shpjegohet qartë se përdorimi i të dhënave bëhet me urdhër të njësive organizative ose të operatorëve të autorizuar. Nga të gjitha komunikimet që CRCA/ECPAT Shqipëri ka zhvilluar me institucionet pub;ike, përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave personale të cdo shtetasi shqiptar, rezulton se kjo faqe nuk administrohet nga një institucion publik përgjegjës, që ka të drejtën ligjore për të administruar të dhëna personale dhe sensitive për çdo shtetas dhe specifikisht për fëmijët në Shqipëri.
Përsa më sipër, CRCA/ECPAT Shqipëri, Zyra e Mbrojtjes Ligjore Falas për Fëmijët dhe të Rinjtë në Shqipëri dhe Platforma Kombëtare ISIGURT.al ju drejtohen institucioneve të mësipërme, për të kryer identifikimin e personave përgjegjës apo njësive që e kanë vënë në përdorim këtë faqe, si dhe mbylljen e saj urgjente, në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e të gjitha të dhënave sensitive për çdo fëmijë në Shqipëri.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri
Tel: +35542265741
E-mail: crca@crca.al