Kodi I Ri Zgjedhor Diskriminon Hapur Gratë Dhe Vajzat Në Shqipëri!

Kodi I Ri Zgjedhor Diskriminon Hapur Gratë Dhe Vajzat Në Shqipëri!

Sot në Seancën Plenare të Kuvendit të Shqipërisë, deputetët e e tij votuan nëpërmjet një konsensusi të gjerë miratimin e Kodit Zgjedhor, i cili ndër të tjera ishte edhe një nga para-kushtet për marrjen e statusit kandidat të vendit në Bashkimin Europian.

Aq i shpejtë ishte reagimi i strukturave Europiane, SHBA-ve dhe OSBE-së, për këtë arritje të Shqipërisë, sa në lumin e urimeve dhe përgëzimeve u harrua që Kodi Zgjedhor ende nuk përmbush një ndër parimet bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, atë të barazizë së shtetasve. Frika se klasa politike në Shqipëri nuk do të arrinte të përmbushte asnjë nga 12 rekomandimet e BE-së, i detyron miqtë tanë ndërkombëtar që të përshëndesin edhe hapin më vogël që Shqipëria hedh drejt avancimit të BE-së, pavarësisht sesi është arritur kjo gjë.

Kriza politike pozitë-opozitë, sot ka kthyer në viktima të tij grupet që janë më pak të përfaqësuar në proceset politike në vend dhe që ironikisht përfshirja e tyre në politikë dhe në vendim-marrje do t’i jepte fund krizave politike të gjata dhe të vazhdueshme.

Në mendimin tonë, Kodi i ri Zgjedhor po diskriminon hapur gratë dhe vajzat anembanë Shqipërisë. Ky diskriminim qëndron tek fakti se Kodi dhe Kuvendi i Shqipërisë, si organ ligjvënës, nuk dhanë asnjë garanci ligjore se gratë do të kenë trajtim dhe mundësi të barabarta nga ana e partive politike, ashtu si edhe burrat, për të qenë kandidate në zgjedhjet parlamentare dhe ato vendore.

Mos-vendosja e garancive ligjore në Kodin Zgjedhor, krijon premisa që partitë të bëjnë dallim, të përjashtojnë ose kufizojnë kandidimin e barabartë të grave përkundrejt burrave apo edhe më tej të preferojnë kandidimin e burrave në një masë më të madhe se gratë. Ky lloj qëndrimi do të ishte diskriminues dhe në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, Konventën e OKB-së për Eleminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave dhe Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shqipëri.

Ne, me po kaq indinjatë, pamë sot se si kërkesat e shoqërisë civile dhe të mbi 8000 qytetarëve nga e gjithë Shqipëria, që kanë nënshkruar peticione dhe opinione ku kërkojnë forcimin e kuotës gjinore, nuk u morën në konsideratë dhe kjo u duk në ato pak minuta që zgjati seanca e miratimit të Kodit në Kuvend.

Megjithatë Kuvendi i Shqipërisë dhe deputetët e tij, janë ende në kohë për të arritur një përfaqësim të drejtë, të barabartë dhe të merituar, të burrave dhe grave në politikë. Pas hyrjes në fuqi të Kodit të ri, çdo qytetar dhe deputet ka të drejtë të kërkoj përmirësime në përmbajtjen e ligjit.

Koalicioni Ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile që punojnë për avancimin e gruas në politikë dhe në vendim-marrje, në bashkëpunim me partnerët dhe miqtë tanë brenda dhe jashtë vendit, do të mbështesin dhe përkrahin çdo nismë ligjore dhe politike, që forcon garancitë e pjesmarrjes dhe përfaqësimit të grave në Kuvend dhe në pushtetin vendor.

Ne kërkojmë që në Kodin e ardhshëm zgjedhor të përcaktohet qartë se “të paktën 1 në çdo 3 emra përgjatë të gjithë listave shumë-emërore të jetë nga gjinia më pak e përfaqësuar” dhe “Listat e partive politike që nuk e plotësojnë këtë kusht të refuzohen nga KQZ-ja deri në zbatimin e kuotës gjinore”. Kjo është e vetmja mënyrë dhe mekanizmi i duhur sesi partitë politike në Shqipëri të garantojnë përfaqësim të denjë të burrave dhe grave në politikë.

Shteti i ka sot një borxh shumë të madh grave anembanë Shqipërisë, sepse i ka trajtuar ato si të pabarabarta përkundrejt burrave. Ky paragjykim i ngritur në nivelin më të lartë, në atë të ligjvënies, tregon se fryma e diskriminimit ndaj grave, është ende prezente tek mentaliteti i Kuvendit dhe i deputetëve të saj. Të gjithë së bashku duhet të krijojmë mundësitë që gratë të jenë pjesë e politikës, sepse barazia gjinore, përfaqësimi dhe pjesmarrja e tyre në politikë janë çështje thelbësore e demokracisë dhe e të drejtave të njeriut. 

Donors and Partners

          

Web Design & Development by: WWW.FIT.AL