Tiranë, 8 Korrik 2021 – Sllovenia dhe Gjermania vijnë në ndihmë të një vajze që i mbijetoi dhunës seksuale në Shqipëri. Thirrjes më të fundit të Barnahus Albania dhe CRCA/ECPAT Shqipëri për mbështetjen e adoleshenteve që i mbijetojnë dhunës seksuale, u përqafua në mënyrë të menjëhershme nga ambasadat e këtyre dy vendeve në Shqipëri, si dhe nga disa OSHC dhe qytetarë shqiptarë që jetojnë në Zvicër, etj.
Rastet e shtuara të raportimit të dhunës seksuale në Shqipëri, përcjellin një realitet sa të vështirë aq edhe mos-pranues ndaj viktimave dhe familjeve të tyre. Kjo shpie shpesh drejt largimit nga qyteti apo fshati në të cilin ka ndodhur ngjarja dhe zhvendosjen e tyre drejt qyteteve më të mëdha.
Mbi 60 fëmijë janë shpëtuar nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual nëpërmjet ndërhyrjeve dhe shërbimeve të Barnahus Albania. Me ndihmën e ekipit të Barnahus fëmijët jo vetëm kanë denoncuar dhunuesit e tyre, por edhe kanë përfituar falas ndihmën ligjore, psikologjike, arsimore, përfshi në rastet zhvendosjen e familjes në një mjedis më të sigurt.
Rasti më i fundit ishte mbështetja për të patur një shtëpi të re të pajisur me të gjitha orenditë dhe pajisjet e reja, për një vajzë 15-vjecare që për muaj të tërë ishte bërë viktimë e dhunës dhe shfrytëzimit seksual. Barnahus ju drejtua me një letër të hapur ambasadave të vendeve perëndimore në vendin tonë. Thirrjes për ndihmë iu përgjigjën pozitivisht stafet e Ambasadave Sllovene dhe Gjermane, të cilët arritën të mbledhin fonde që bënë të mundur blerjen e pajisjeve të mëdha elektronike për familjen.
Nismës iu bashkuan edhe disa qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë. Një vajzë e re shqiptare që banon në Europë, edhe ajo vetë e mbijetuar e dhunës seksuale, iu përgjigj në mënyrë të menjehershme thirrjes së BARNAHUS, duke ndihmuar dhe mbështetur familjen dhe vetë vajzën.
BARNAHUS dhe CRCA/ECPAT Shqipëri gjen rastin për të falenderuar për ndihmën që stafet e Ambasadës Sllovene dhe Gjermane, organizatat dhe individët, po i japin rimëkëmbjes së familjes dhe vajzës nga një krim i rëndë, si dhe për përkushtimin që ato tregojnë cdo herë ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale në Shqipëri.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
Barnahus Albania
barnahus@crca.al
www.crca.al/sq/barnhaus