Tiranë, 11 Mars 2019 – Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), me anë të kësaj deklarate publike, kërkon të shprehë indinjatën e saj të thellë mbi trajtimin e papërshtatshëm dhe përballjen e fëmijëve me dhunë institucionale, të ushtruar nga punonjësit e përmbarimit shtetëror në Tiranë.
Sot në mëngjes, përmbarimi gjyqësor, i shoqëruar nga një numër i lartë i forcave të policisë së shtetit, kanë tentuar të hyjnë në mënyrë të dhunshme në një ndërtesë dy-katëshe të ndodhur në kryqëzimin e Rrugës “Sami Frashëri” me Rrugën “Marko Boçari”. Sipas raporteve të mediave, ndërtesa dy-katëshe është një shtesë e ndërtuar në mënyrë jo të rregullt dhe se toka ku ajo është ndërtuar, i takon dikujt tjetër.
Familjet, që jetojnë në këtë ndërtesë, kanë refuzuar zbatimin e vendimit të gjykatës, që kërkon lirimin e këtij mjedisi, ku ata ende jetojnë, dhe nuk kanë lejuar hyrjen e përmbarimit në mjediset e brendshme të shtëpive të tyre. Mediat vizive e treguan live përballjen, ku nga njëra anë e derës së jashtme punonjësit e përmbarimit godisnin me kazma dhe me mjete të rënda metalike, duke tentuar të hynin me forcë brenda në oborr, ndërsa nga krahu tjetër, familjarët së bashku me fëmijët e tyre, u panë të qëndronin mbështetur mbrapa derës, për të mos lejuar shembjen e saj.
Punonjësit përmbarimorë, për mbi 20 minuta kanë tentuar ta hapin derën me forcë. Ata janë lejuar nga policia që ta zhvillojnë të gjithë këtë shfaqe të shëmtuar të dhunës institucionale, pavarësisht se pas derës qëndronin familjarë, përfshi edhe fëmijët e tyre të vegjël. Në mënyrë të pakuptimtë punonjësit e policisë së shtetit janë parë të ndalojnë qytetare të thjeshtë, përfshi edhe fëmijë, që t’i dalin në mbrojtje familjeve në fjalë, por ata në asnjë moment nuk janë parë të ndalojnë veprimet e dhunshme të zyrtarëve të përmbarimit. Ky trajtim i pabarabartë i të dy palëve, e ka vendosur policinë e shtetit në një pozitë ku ajo neglizhon dhunën shtetërore të ushtruar nga punonjësit e përmbarimit, kur ajo qartazi rrezikonte ndër të tjera jetën e fëmijëve.
Shqipëria që prej vitit 1992 është shtet palë në Konventën për të Drejtat e Fëmijës së OKB-së. Në këtë kuadër shteti shqiptar dhe të gjithë institucionet e tij janë të detyruar që të marrin të gjitha masat për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë e dhunës (Neni 19), ndërkohë që Neni 37 i saj thotë: “Asnjë fëmijë nuk duhet t’i nënshtrohet torturës, apo trajtimeve ose dënimeve mizore, çnjerëzore ose poshtëruese.” Po ashtu shteti shqiptar ka detyrime për mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna, sipas parashikimeve të Ligjit për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve (2017).
Në mendimin tonë sjellja e përmbaruesve gjyqësorë është zhvilluar në kundërshtim të hapur me frymën dhe kërkesat e Konventës për të Drejtat e Fëmijës dhe të Ligjit për të Drejtat e Fëmijës, pasi ajo jo vetëm është zhvilluar në kushtet e dhunës emocionale, por për më tepër ajo ka marr formën e torturës, duke i trajtuar fëmijët në mënyrë poshtëruese dhe çnjerëzore!
Shfaqja e shëmtuar ku 4-5 burra dhe djem të rinj, godasin me forcë derën e shtepisë, me shkelma, grushta dhe mjete të tjera metalike, është jo vetëm dhunë institucionale ndaj fëmijëve që banojnë në atë shtepi, që ata kanë besuar se është e tyrja gjatë gjithë jetës së tyre fëmijnore, por ajo është edhe një shfaqje e dhunës ndaj nesh si individë dhe shoqëri. Në bindjen tonë Policia e Shtetit i kishte dhe ende i ka të gjitha mjetet e komunikimit dhe negocimit në dispozicion me familjarët dhe mund të kishte parandaluar në kohë ushtrimin e dhunës ndaj fëmijëve të vegjël. Kjo neglizhencë në bindjen tonë është e pajustifikuar!
Nga sa më sipër, CRCA i bën thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese në Shqipëri, që interesi më i lartë i fëmijës dhe mbrojtja e posaçme, qendrojnë në themel të të ligjit dhe të të drejtës në vend. Zbatimi i vendimeve gjyqësore, nuk mund të bëhet nëse ato rrezikojnë seriozisht jetën dhe mirëqenien fizike apo emocionale të fëmijëve. Ne i kërkojmë sot Policisë së Shtetit: Mbroni Fëmijët nga Dhuna!


Detajet e Lajmit
March 11, 2019
270
Kategoria