
Studimi analitik katërvjeçar i bazuar tek rastet, i Barnahus Shqipëri, zbuloi se dhuna seksuale nga bashkëmoshatarët përfaqëson formën më të raportuar të dhunës seksuale ndaj fëmijëve. Kjo do të thotë se përvoja e parë seksuale, veçanërisht për vajzat është përdhunimi, ndërsa për djemtë ajo shprehet më së shumti përmes prekjes së pjesëve intime. Ky zhvillim i ri ngre shqetësime serioze për rolin që luan familja dhe sektori i arsimit për të informuar dhe edukuar fëmijët dhe adoleshentët mbi edukimin seksual, integritetit trupor dhe jetën e shëndetshme seksuale!
Tiranë, 13 Korrik 2023 – Fëmijët në Shqipëri vijojnë të mbeten të rrezikuar nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual për shkak të përgjigjes së dobët dhe të pamjaftueshme institucionale nga të gjitha institucionet, por sidomos sektori i arsimit dhe sistemi i drejtësisë. Të dhënat tregojnë se fëmijët vajza mbeten viktimat kryesore të dhunës seksuale, ndërkohë që dhunuesit seksualë po marrin një fizionomi gjithnjë e më shumë fëmijënore dhe rinore, duke u bërë kështu një tregues i mungesës së edukimit seksual dhe informimit për integritetin trupor të çdo fëmije, si nga nga shkolla ashtu edhe nga familja.
Në Shqipëri, 88 përqind e krimeve seksuale të raportuara pranë Barnahus Shqipëri, janë kryer nga një burrë apo djalë, ndërkohë që viktimat në 85% të rasteve janë vajza nën moshën 18 vjeç. Analiza e rasteve tregon se 34 përqind e krimeve seksuale ndaj fëmijëve janë kryer nga një fëmijë tjetër nën moshën 18 vjeç, gjë që përbën një ndër gjetjet më shqetësuese të studimit dhe që kërkon një adresim urgjent të saj.
“Prezantimi i këtij raporti katër vjeçar është një mundësi shumë e mirë për të gjithë vendimarrësit, politikë-bërësit, si dhe sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, të zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë, për të kuptuar sesa larg mbështetjes profesionale dhe të plotë janë shërbimet që ofrojnë sot instituciuonet në vend për fëmijët viktima të dhunës seksuale. Ndaj ne kemi insistuar dhe do vijojmë të insistojmë se Modeli i Barnahus duhet të jetë modeli kryesor në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale dhe të fëmijëve në konflikt me ligjin.” – tha në hapje të tryezës Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri.
Studimi i Rasteve të Dhunës Seksuale ndaj Fëmijëve – është një analizë e thelluar e të gjitha rasteve që janë paraqitur dhe janë trajtuar nga Barnahus Shqipëri – Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale, një shërbim i CRCA/ECPAT Shqipëri. Të dhënat e analizuara i përkasin një periudhe 4 vjeçare, ndërkohë që në analizë janë marr 66 raste të dhunës seksuale ndaj fëmijëve. Metoda e studimit bazohet në pyetësorët e përdorur nga Studimi BECAN, në atë që konsiderohet si studimi i “majës së ajzbergut” të fenomenit.
Studimi merr në shqyrtim edhe profilin e fëmijëvs viktimë të dhunës seksuale. Nga të dhënat rezulton se përdhunimi është forma më e përhapur e dhunës seksuale ndaj vajzave , ndërsa për djemtë prekja e pjesëve intime është forma kryesore e raportuar. Faktorët arsimorë, sociale, ato të jetësës dhe sidomos faktorët ekonomikë, duket se janë disa nga kontribuesit kryesorë në dhunën seksuale ndaj fëmijëve, pavarësisht se shumica e fëmijëve jetojnë në familje me të dy prindërit.
Të dhënat e studimit u bënë publike në Tryezën Kombëtare: Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve viktima dhe autorë të krimit në Shqipëri – e organizuar nga Barnahus Shqipëri, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Qendrën për Parandalimin e Krimeve tek të Miturit dhe të Rinjtë.
BARNAHUS Shqipëri –Qendra Kombëtare Për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale, që nga hapja e saj në vitin 2019 ka mbështetur më shumë se 200 fëmijë viktima të dhunës seksuale dhe fëmijë në konflikt me ligjin me shërbime falas ligjore, psiko-sociale, mbështetje për fuqizmin e viktimave, prindërve, familjeve dhe komuniteteve të prekura nga krimi. E hapur në Shtator 2019 – Barnahus Shqipëri është shërbimi i parë në vend që sjell në një vend të vetëm shërbimet komunitare, ato të mbrojtjes së fëmijës, së bashku me organet ligjzbatuese dhe ato të drejtësisë.
Për më shumë informacion, kontaktoni:
BARNAHUS Shqipëri
CRCA/ECPAT Shqipëri
Tel: 0675002025
E-mail: barnahus@crca.al ose crca@crca.al