
Katër ministritë kryesore të Qeverisë shqiptare dhe dy organizatat kryesore në mbrojtje të fëmijëve nënshkruajnë Paktin që përmban gjashtë pika kryesore veprimi, me qëllim kryesor nxitjen e bashkëpunimit, koordinimit dhe mbrojtjes më të mirë të fëmijëve nga dhuna dhe shfrytëzimi seksual online dhe në jetën e përditshme.
Tiranë, 20 Nëntor 2023 – Sot në mesditë, në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës, katër ministritë kryesore të Qeverisë shqiptare dhe dy organizatat kryesore të fëmijëve, nënshkruan Paktin Kombëtar Kundër Dhunës Seksuale ndaj Fëmijëve, një plan masash që vendos në qendër të tij mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë e dhunës dhe shfrytëzimit seksual.
Ceremonia e nënshkrimit të Paktit u mikprit nga Ministria e Brendshme, ndërkohë që u nënshkrua nga Ministri i Brendshëm – z. Taulant Balla, Ministrja e Arsimit – znj. Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Znj. Albana Koçiu, Ministrja e Shtetit për Rinisë dhe Fëmijët – znj. Bora Muzhaqi, z. Altin Hazizaj – Drejtor i Përgjithshëm i CRCA/ECPAT Shqipëri dhe znj. Belioza Çoku – Drejtore Ekzekutive e Linjës Kombëtare të Ndihmës për Fëmijë (ALO 116-111 Shqipëri).
Në hapje të ceremonisë së prezantimit dhe nënshkrimit të Paktit Kombëtar, z. Taulant Balla, Ministër I Brendshëm, tha: “Sot jemi këtu, katër ministra të qeverisë shqiptare për të bashkuar, bashkë me shoqërinë civile, të gjithë angazhimin tonë , me qëllim mbrojtjen dhe rritjen e sigurisë së fëmijëve.”
Plani fokusohet në rritjen dhe forcimin e koordinimit, shkëmbimit të informacionit në kohë reale, marrjes së masave të përbashkët si dhe organizimin e fushatave kombëtare ndërgjegjësuese për të parandaluar dhunën dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve në internet dhe në jetën e përditshme. Ai përmban gjashtë masa bazë, ndërkohë që secila ministri do të zhvillojë planet e saj të veprimit, për të bërë të mundur zbatimin e planit.
Shqipëria po përballet me një numër gjithnjë e në rritje të raportimeve të dhunës dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve online dhe në jetën e përditshme, si në mjedisin familjar ashtu edhe në ato shkollore apo në komunitet. Nisur nga rritja e numrit të denoncimeve, por edhe mungesa e informacionit sesi fëmijët mund të mbrohen më mirë, sidomos në internet, CRCA/ECPAT Shqipëri inicioi një konsultim të gjerë ndërmjet partnerëve institucionale dhe atyre socialë, që rezultoi me nevojën për një qasje më publike dhe më të koordinuar, siç është Pakti social, ndërmjet institucioneve publike, shoqërisë civile, publikut, por edhe sektorit të biznesit në tërësi.
Aktivitetet për ditën ndërkombëtare të fëmijëve, kishin filluar që në ora 8 të mëngjesit, ku mbi 320 mijë fëmijë dhe adoleshentë, morën pjesë në Mësimin më të madh në Shqipëri, që u zhvillua në të njëjtën orë në të gjitha klasat dhe shkollat publike kudo në Shqipëri, nën moton: Flasim për të Drejtat e mia!
Ndërkohë që në ora 10 të mëngjesit, shoqëria civile mbajti marshimin e saj të përvitshëm kundër dhunës ndaj fëmijëve, të njohur si Marshimi i Fjongos Blu. Rreth 30 pjesëmarrës nga organizatat e shoqërisë civile, rreth 10 të reja vullnetare nga Kryqi I Kuq Shqiptar, si dhe miq e kolegë nga trupi diplomatik në Shqipëri, iu bashkuan Marshimit që filloi në Sheshin Skënderbej dhe përfundoi përpara zyrave të Qeverisë shqiptare, nën moton: Mos ma dhuno fëmijërinë!
Për më shumë informacion, kontaktoni:
CRCA/ECPAT Shqipëri